English

Vetëvendosje: Çlirimi i Shkupit më 1912, përpjekja që duhet përkujtuar

Prishtinë, 11 gusht, NOA – “Më 12 gusht 1912 mijëra kryengritës shqiptarë të armatosur, të udhëhequr nga Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Idriz Seferi, Ali Shkupi, Mehmet Tetova e shumë atdhetarë tjerë të shquar, përmbyllën çlirimin e vilajetit të Kosovës nga pushtimi osman, pasi morën nën kontroll Gjilanin, Preshevën, Bujanocin, Tetovën, Gostivarin, Kërçovën, Kumanovën, si dhe kryeqytetin e Kosovës – Shkupin”. Me këto fjalë, lëvizja Vetëvendosje! ka nisur një deklaratë përmes së cilës përshëndet çlirimin e Shkupit më 1912-ën.

“Kur shqiptarët çliruan kryeqytetin e Kosovës, VMRO-ja e atëhershme, prej të cilës rrjedh kjo e sotshmja në pushtet, ishte ajo që kërkonte ndërhyrjen bullgare për ta penguar përpjekjen tonë kombëtare për pavarësi politike”, vijon më pas ajo.

Duke shtuar se Vetëvendosje!mbështet nismën e Bashkimit Demokratik Kombëtar për shënimin e 98-vjetorit të çlirimit të Shkupit nga kryengritësit shqiptarë më 1912.

“Ky shënim është shumë i nevojshëm sepse ka të bëjë me njërën prej ngjarjeve më të rëndësishme të çlirimit kombëtar të shekullit XX. Kujtimi i kësaj përpjekje është i domosdoshëm sot. Para më pak se një shekulli, Shkupi u çlirua nga shqiptarët dhe ishte kryeqytet i Kosovës, kurse sot ai është kryeqytet i Maqedonisë dhe ndodhet nën një fushatë të egër maqedonizimi arbitrar, duke filluar që nga praktikat asimiluese të aspektit demografik, trysnia dhe shtypja politike, ekonomike, imponimi i gjuhës maqedonase nëpër shkolla, ndalimi i flamurit shqiptar, nëninvestimet nëpër komunat shqiptare, e deri te planifikimi diskriminues urban (Shkupi 2014)”, shtohet më tej në këtë deklaratë. Duke përfunduar se shqiptarët në Maqedoni po sulmohen (dhuna e tifozëve të Vardarit); po fyhen e poshtërohen (Enciklopedia shtetërore); po diskriminohen (nënpërfaqësimi institucional administrativ dhe nëpër vendet e punës); po iu mohohet identiteti kombëtar (përvetësimi i Nënës Terezë).

n.e/NOA

KOMENTE