Tiranë, 11 gusht, NOA – Tre persona janë arrestuar dje nga policia e kryeqytetit pasi dyshohet se janë autorët e vjedhjes së rreth 2000 m kabull, në Komunën e Petrelës.
Policia e Tiranës njoftoi përmes një komunikate se dje në mesditë u prangosën tre persona përkatësisht 26 vjeçari Hazis Asllan Dermishi banues në Vorë; 25 vjeçari Bledian Farik Muça edhe ky banues në fshatin Vorë dhe 66 vjeçari Estref Tafil Gjoshi, banues në Laprakë, ndërsa në kërkim për këtë vjedhje është shpallur edhe 33 vjeçari Petrit Muharrem Kallmeti nga fshati Armenas i Krujës.
Policia bën të ditur se të arrestuari dje rreth orës 05.00 të mëngjesit, janë kapur në flagrancë duke vjedhur kabllin e energjisë elektrike në fshatin Njull Bathore.
Ndërsa bëhet e ditur se njëri prej të arrestuarve, 66 vjeçari Estref Gjoshi u arrestua në flagrancë, sepse në pikën e grumbullimit të metaleve, që administron në qytetin e Kamzës, iu sekuestrua një sasi e konsiderueshme, e kabullit të energjisë elektrike, e shitur nga dy personat e mësipërm, Hazis Dermishi dhe Estref Gjoshi.
Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 600 m kabull të energjise elektrike, 2 gërshërë, që përdoreshin për prerjen e kabullit dhe 20 kg tel i zhveshur bakri.
Ndërkohë, nga puna e bërë rezulton se shtetasit Hazis Dermishi e Bledian Muça në bashkëpunim me shtetasin 33 vjeçar, Petrit Muharrem Kallmeti, për kapjen e të cilit po punohet nga policia, dyshohet se janë autorë të vjedhjes së rreth 2000 m kabull, në 2 gusht, në Komunën e Petrelës.
mit/NOA