Çernobil, 11 Gusht, NOA - Në qoftë se në Brjansk, në kufi më Ukrainën, shpërthen një zjarr, ka gjasa që të çlirohen jo vetëm lëndë të dëmshme të zakonshme, por edhe pjesëza radioaktive. Kjo mund të krijojë një zonë të re të ndotur
Akoma vazhdojnë zjarret shkatërruese të pyjeve në Rusinë perëndimore dhe qendrore. Forcat speciale të shpëtimit nuk e kanë situatën ende në kontroll. Tani aty ka gjasa për një një tjetër kërcënim: nga zjarret e pyjeve dhe valët e nxehta mund të krijohen grimca radioaktive nga toka dhe mjedisi përreth. I prekur është rajoni Brjansk, që kufizohet në perëndim të Rusisë nga Ukraina dhe Bjellorusia. Pas katastrofës së Çernobilit në vitin 1986, ajo mbahet si zonë tepër e ngarkuar me lëndë radioaktive.
Shumë hapur ministri rus për Mbrojtjen nga Katastrofat, Sergej Shoigu, e cilësoi problemin kështu: në rrethet jugore të rajonit të Brjansk po rritet rreziku që të përfshihen nga zjarri tokat torfë dhe pyjet që janë prekur nga rrezatimi radioaktiv i katastrofës bërthamore të Çernobilit në 1986.
Rritet rreziku për shtimin e zjarreve
"Në qoftë se aty shpërthen një zjarr, jo vetëm do të çlirohen substanca të dëmshme të zakonshme, por edhe grimca radioaktive. Kjo mund të krijojë një zonë të re të ndotur. Prandaj, ne e kemi forcuar praninë tonë atje në mënyrë të konsiderueshme. Ndër të tjera, ne kemi vendosur një grup robotësh zjarrfikës."
Dy zjarre u arrit të shuhen relativisht shpejt. Por rreziku ende nuk është ndaluar. Nuk duhet mundim shumë i madh për t'i vënë flakën tokës së thatë dhe me pluhur me temperaturat edhe më tej përcëlluese.
Të mjaftueshme për t'i vënë flakën janë edhe reflektimi i një cope xhami ose bishta cigaresh të hedhur pa vëmendje. Rreziku është i madh, thotë Nikolai Shmatkov nga organizata ambjentaliste WWF:
“Pjesëza radioktive qëndrojnë për një kohë të gjatë në pyje. Ato shpesh gjenden mbi drurë të vdekur dhe të thatë në degë të thyera ose në pemët halore, të cilat i rrëzojnë boçet në tabanin e pyllit. Të gjitha këto janë materiale që digjen mirë“.
Nga tymi mund të çlirohet material radioaktiv si Cezium 137, i cili depërton shumë ngadalë në tokën e pyllit dhe prej aty mund të ngjitet prapë në ajër. Një rrezik jo vetëm për sipërfaqe të lira në kufi me to.
“Kur fillon të digjet pylli, retë të cilat përmbajnë pluhur blozë dhe grimca radiokative mund të arrijnë në shtresat e larta të ajrit dhe të përshkojnë distanca të largëta. Bloza dhe hiri mund të arrijnë edhe në zonat e banuara dhe prandaj kjo paraqet një rrezik”.
Ambjentalistët kërkojnë vëmendje për tokën
Prandaj WWF kërkon nga qeveria që të mos përqendrohet vetëm në mbrojtjen e objekteve me rëndësi strategjike siç jane pajisjet ushtarake apo uzinat e kërkimeve atomike, si ato në Sarov në zonën e Nizhni Novgorodit - pjesa lindore e Rusisë evropiane. Nikolaj Shmatkov:
“Tokës së rrezatuar i duhet kushtuar vëmendje jo vetëm sot. Duhet punuar vazhdimisht dhe me këmbëngulje, vit pas viti në të, për të krijuar një mbrojtje të mirë nga zjarret. Këto pyje nuk duhet të marrin flakë në asnjë mënyrë. Lëndët radioaktive duhet të qëndrojnë në tokë, ato nuk duhet të përzihen me flakët”.
Për Gjermaninë dhe pjesë të gjera të Evropës, Zyra federale për mbrojtjen nga rrezatimi ka dhënë sinjalin e çtensionimit të situatës.
Përvoja , sipas kësaj zyre, ka treguar se retë e tymit të shkaktuara nga flakët në këtë rajon ngjiten rallë aq lart sa era t' i sjellë me përqendrim të madh në Evropën Qendrore.
Një ngushëllim i vogël për trekëndëshin e shteteve të prekur nga Çernobili: Rusia, Bjellorusia, Ukraina. Mbrojtësit rusë të mjedisit thonë se për njerëzit atje, një zjarr në këtë zonë do të ishte i ngjashëm me një rrezatim të dytë bërthamor.
Deutsche Welle