English

Analiza e Policisë së Shtetit: Në korrik 51 persona të vdekur në 151 aksidente

Tiranë, 12 gusht, NOA – Në analizën njëmujore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, gjatë muajit korrik rezultojnë të kenë ndodhur 151 aksidente në rang republike me 51 persona të vdekur, më i rëndi ai i ndodhur në Pukë, shifra këto thuajse të njëjta me të njëjtën periudhë të një viti më parë, megjithë hyrjen e madhe të mjeteve gjatë sezonit turistik, rreth 131 mijë automjete më shumë krahasuar me korrikun e 2009-ës.

Gjatë kësaj analize mbi veprimtarinë e Drejtorisë së Policisë Rrugore, u theksua se deri tani struktura e re ka funksionuar mirë dhe masat e marra për parandalimin e aksidenteve rrugore kanë qenë të shumta dhe forca goditëse ndaj shkelësve të Kodit Rrugor ka qenë e madhe, pavarësisht ngjarjes fatkeqe të ndodhur në Pukë gjatë këtij muaji.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ai i Policisë Rrugore, Vullnet Topalli, si dhe drejtuesit e 12 Njësive Rajonale për Sigurinë Rrugore në qarqe, patën në qendër të diskutimeve ecurinë e punës në Drejtorinë e Policisë rrugore dhe funksionimin e strukturës së re, si dhe njohjen e problematikës me të cilën përballet kjo strukturë, në fushën e sigurisë rrugore.

Po ashtu në analizën e Policisë së Shtetit janë evidentuar problemet kryesore me të cilat përballen çdo ditë efektivat e Policisë Rrugore, siç janë përdorimi i pijeve alkoolike nga drejtuesit e mjeteve, shpejtësia tej normave të lejuara, mosvendosja e rripave të sigurimit, etj.

Ndërkohë, për shkeljet e konstatuara ndaj drejtuesve të automjeteve janë marrë rreth 59.760 masa administrative me gjobë, si dhe janë bllokuar rreth 2017 automjete.

Në kuadër të këtyre kontrolleve, është marrë masa e pezullimit të lejes së drejtimit në 1784 raste për drejtuesit e automjeteve.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ka kërkuar në këtë analizë “forcimin e punës së strukturave policore në drejtim të parandalimit të aksidenteve si dhe të rritet gjithnjë e më shumë forca goditëse me tolerancë zero ndaj shkeljeve të Kodit Rrugor, që bëhen burim aksidentesh duke marrë jetë njerëzish”.

mit/NOA
KOMENTE