English

Biberaj: Në PD, po ekziston vetëm institucioni i kryetarit

Tiranë, 12 Gusht, NOA – “Që nga prilli i vitit 2009, veç institucionit të kryetarit të partisë, në selinë blu nuk ekziston asnjë institucion tjetër legjitim dhe funksional”.

Kështu ka deklaruar përmes një deklarate për shtyp, anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, i cili duke analizuar situatën e brendshme aktuale të kësaj force politike, u shpreh se paraqitet nevoja për reformimin e thellë dhe tërësor të saj.

“Edhe anëtarët e emëruar të Këshillit Kombëtar, të dalë nga zgjedhjet e manipuluara të të ashtuquajturit Kuvend Kombëtar i dhjetorit 2009, janë pa mandate, pasi këto mandate të manipuluara nuk janë konstituuar akoma edhe pse kanë kaluar tetë muaj që nga mbajtja e Kuvendit”, tha Biberaj.

Sipas tij, suprimimi i të gjitha institucioneve/forumeve të partisë nga kryetari i saj përbën puç institucional dhe uzurpim të partisë, shkelje flagrante dhe dhunim ekstrem të statutit të partisë, duke sjellë edhe fundin e demokracisë së brendshme në parti.

“Edhe në vitin e vështire ‘97, kohë kur PD dhe demokratët u përballën me goditje tepër të ashpra, kohë kur u vu në pikëpyetje vetë ekzistenca e PD-së dhe demokracisë, institucionet/forumet e PD-së jo vetëm që nuk u suprimuan për asnjë moment, por përkundrazi funksionuan (qoftë edhe me përbërje jo të plotë), me qëllim mbrojtjen e demokracisë dhe vlerave të saj, si dhe interesave kombëtare”, shton ai.

Duke përfunduar se kjo situatë kërkon nga demokratët e vërtetë, anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e PD-së, nga të djathtët e vërtetë të ringrihen edhe një herë ashtu si njëzet vjet më parë për parimet dhe vlerat e demokracisë, me qëllim reformimin tërësor dhe të thellë të një partie tashme të atrofizuar dhe inekzistente.

n.e/NOA

KOMENTE