Tiranë, 12 Gusht, NOA – “Gjatë kësaj jave kam realizuar një sërë vizitash zyrtare në Qipro, Siri dhe Liban të cilat janë pasqyruar edhe këtu në media”, tha sot ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta pas kthimit nga turi i vizitave zyrtare në Qipro, Siri dhe Liban.
“Njëkohësisht dua të theksoj kënaqësinë që pata për të takuar edhe Ministrin Plotësues të Punëve të Jashtme të Greqisë Droutsas në Athinë, me të cilin shkëmbyem mendime dhe mirëkuptimin për zhvillimet më të fundit në rajon, por edhe në tërësi për perspektivën e çështjes së Kosovës, e cila pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, padyshim ka hyrë në një fazë të re më të konsoliduar se më parë.
Gjithashtu, me Droutsas ndamë mendimin se pikërisht mënyra konstruktive e trajtimit jashtë çdo diference mes vendeve të rajonit, forcon rrugëtimin dhe perspektivën e përbashkët të të gjithë vendeve tona dhe patjetër që në këtë drejtim, edhe Axhenda 2014 e kryeministrit të Greqisë Papandreu, për integrimin evropian të vendeve tona është një inkurajim i fuqishëm.
Gjatë vizitës në Qipro, pata kënaqësinë të pritem nga presidenti i vendit, Dimitris Kristofias, me të cilin diskutuam në mënyrë të veçantë për forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve, por edhe për çështjen e Kosovës, për të cilën ramë dakord që është një rast unik, dhe se nuk mund të hiqet asnjë paralele me raste të tjera.
Përkundrazi, është një çështje që ka të bëjë me vullnetin jo vetëm të një populli të tërë, por njëkohësisht me një proces zinxhir të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë e cila nuk ekziston më prej kohësh, si dhe me legjitimitetin që buron jo vetëm nga vullneti i shprehur për drejtësi, por dhe nga respektimi i akteve ndërkombëtare për Kosovën, si Rezoluta 1244 e OKB-së.
Ndërsa, me ministrin e Jashtëm të Qipros, ramë dakord për të intensifikuar marrëdhëniet dypalëshe, sidomos në fushën e ekonomisë dhe të arsimit, por edhe për mbrojtjen dhe nxitjen e investimeve midis dy vendeve. Dua të theksoj faktin që në fushën e arsimit, do të ketë një angazhim konkret për akordimin e bursave të konsiderueshme për studentët shqiptarë që dëshirojnë të studiojnë në universitetet e Qipros.
Gjatë vizitës në Siri, u prita nga Presidenti i vendit, z. Bashar al-Assad, me të cilin diskutuam përsëri për situatën në rajonin e Ballkanit, në rajonin e Lindjes së Mesme, dhe mund t’ju them se ishte një takim nga i cili unë shpresoj shumë në të ardhmen edhe për një rivlerësim të çështjes së Kosovës nga ana e Sirisë, veçanërisht tani pas opinionit të dhënë nga GJND-ja. Ndërkohë kam konfirmuar qëndrimin tonë për një zgjidhje paqësore të konfliktit në Lindjen e Mesme, në përputhje me qëndrimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së si dhe të BE-së.
Njëkohësisht me Ministrin e Jashtëm të Sirisë ramë dakord për të nënshkruar në një të ardhme të afërt disa marrëveshje të cilat janë në proces negocimi për sa i përket fushës së arsimit, ashtu sikurse kemi vlerësuar se është e rëndësishme mbarëvajtja e komunitetit me origjinë shqiptare që jeton atje.
Gjatë vizitës në Liban, pata takime të veçanta me presidentin e vendit, Michel Suleiman, kryetarin e Parlamentit, Nabih Berri, me homologun tim, dr. Ali Hussein Al Chami, por edhe me ministra të tjerë të qeverisë libaneze, ku kemi rënë dakord për të nënshkruar së shpejti disa marrëveshje të rëndësishme në fushën e bashkëpunimit ekonomik, ashtu sikurse kam kërkuar dhe nga ana e Libanit, njohjen e shtetit të Kosovës pas opinionit të GJND-së.
Z. Meta, a ka një fazë negociatash PD-LSI për zgjedhjet e ardhshme vendore?
Nuk ka asnjë negociatë për zgjedhjet e ardhshme vendore sepse ka gjëra të tjera shumë më të rëndësishme. Gjithçka do të ndodhë në kohën e duhur e do të vendoset nga forumet përkatëse. Gjithçka në shtyp është spekulim dhe unë e kuptoj që ekziston një thatësirë për lajme.
A keni një reagim nga SHBA në lidhje me letrën që i keni dërguar Departamentit të Shtetit?
Për çfarë letre?
Z. Meta, a konfirmoni që i keni dërguar një letër Sekretares amerikane së Shtetit Hilari Klinton, ku ju jeni ankuar për qëndrimet e z. Withers në Shqipëri?
Më vjen shumë keq që kjo thatësirë që vjen nga koha, për fat të keq ka sjellë edhe një thatësirë për lajme, për të gjithë ata që duan ta mbushin atë me lajme të cilat janë spekulative. Puna ime si Ministër i Jashtëm kërkon që unë çdo ditë të shkëmbej letra dhe mesazhe me Washingtonin dhe me qendra të tjera të rëndësishme. Ndërsa për spekulimet në fjalë, as që nuk ia vlen që të merrem me to.
Sidoqoftë, mund t’ju them se nuk ka asnjë letër zyrtare drejtuar cilitdo shtet jashtë ku të jemi ankuar për ndonjë Ambasador apo diplomat këtu në Shqipëri. Por, është e drejta e kujtdo të prodhojë lajme.
Pra ju keni vlerësime maksimale për punën e z. Withers në Shqipëri?
Vlerësimet janë maksimale për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është aleati ynë kryesor strategjik. Marrëdhëniet kanë qenë, janë dhe do të jenë gjithnjë e më të shkëlqyera.
Po me z. Withers, si kanë qenë marrëdhëniet tuaja?
Shumë të mira. Sapo kemi patur një darkë lamtumire përpara se të nisja këtë tur vizitash në Lindjen e Mesme, dhe jemi ndarë me shumë dashuri me njëri-tjetrin për t’u ritakuar së shpejti.
Z. Meta si e gjykoni mosgjetjen e një zgjidhjeje për situatën e brendshme mes PD dhe PS tani para liberalizimit të vizave dhe marrjes së statusit kandidat?
Procesi i liberalizimit të vizave do të marshojë në mënyrë të pandalshme. Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kërkesat, të gjitha kriteret dhe Shqiptarët shumë shpejt, natyrisht të gjithë ata që janë pajisur me pasaporta biometrike, do të udhëtojnë pa viza në hapësirën Shengen. Meqenëse Qipro nuk bën pjesë në zonën Shengen, pavarësisht se është anëtare e BE-së, ramë dakort që menjëherë pas liberalizimit të vizave më BE-në, automatikisht e njëjta gjë do të arrihet edhe me Qipron përmes një marrëveshje dypalëshe. Informacion shtesë ky për ju.
Z. Meta, deklaruat që nuk kanë filluar negociatat për zgjedhjet vendore, megjithatë LSi ka filluar përgatitjet, madje edhe në përzgjedhjen e kandidatëve të saj. A aspironi Bashkinë e Tiranës apo një nga Bashkitë e mëdha si Durrësin?
Unë ju dhashë qëndrimin tim dhe të LSI-së. Është shumë herët për këtë çështje duke qenë se jemi në procesin e liberalizimit të vizave. Nëse z. Luan Rama ka nisur negociatat, kjo është një çështje e tij. Ju falënderoj.
NOA