Përmet, 12 Gusht, NOA - Kërcënonte me thikë banorët e lagjes ku banonte e ka kundërshtuar, duke kanosur seriozisht për vrasje edhe punonjësit e policisë, e për këtë arsye është vënë në pranga prej tyre.
Bëhet fjalë për 24-vjeçarin Juxhin Hoxha, nga qyteti i Përmetit, për të cilin në komisariatin e policisë së Përmetit ka mbërritur një telefonatë se me thikë në dorë, po kërcënonte për të vrarë disa persona të tjerë.
Konkretisht, burimet policore konfirmojnë për agjencinë e Lajmeve NOA se ai kishte marrë një thikë të madhe ushtarake me mbishkrim “Kolumbia” të përmasave 26 cm dhe po kërcëntonte disa persona të tjerë për t’i vrarë.
Kjo pasi ai kishte bërë fjalë me një bashkëmoshatarin e tij dhe babai e vëllezërit e tij, kishin shkuar në banesën e Juxhin Hoxhës për t’u sqaruar, por në këto momente, ai ka marrë thikën dhe ka tentuar t’i godasë.
Ndërkaq, në oborrin e banesës së Hoxhës u mboldhën edhe banorë të tjerë të lagjes, të cilët i ka kërcënuar gjithashtu se do t’i vriste me thikë.
Me mbërritjen e policisë në vendngjarje, është bërë menjëherë evakuimi i banorëve nga dera tjetër e oborrit të shtëpisë me qëllim sigurimin e jetës së tyre dhe për të bërë neutralizimin e autorit.
Policia i ka bërë thirrje të hedhë thikën, por ai ka fyer rëndë forcat e saj dhe më pas ka tentuar t’i godasë me thikë punonjësit e policisë, duke kërcënuar seriozisht jetën e tyre.
Hoxha tashmë është ndaluar për veprat penale “Mbajtje pa leje e armëve të ftohta”, “Kundërshtim me dhunë i punonjësit të rendit Publik”, “Kanosje për shkak të detyrës” dhe “Fyerje për shkak të detyrës”, vepra këto të parashikuara nga nenet 279, 239, 238 dhe 236 të Kodit Penal.
Ndërsa materialet iu kaluan prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.
n.e/NOA