Tiranë, 12 Gusht, NOA –Ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferraj, do të presë nesër në një takim Marius Dobrescun, autorin e shumë artikujve publicistikë në shtypin rumun për Shqipërinë dhe letërsisë shqipe.
Ai njihet si përkthyes i mjaft veprave të njohura nga poezia dhe proza shqipe në periodikun rumun dhe është konsideruar ambasadori i kulturës shqiptare në Rumani. Vëtë Ismail Kadare, me rastin e vizitës më të fundit në Rumani, e ka konsideruar si një nga përkthyesit e tij të preferuar dhe më produktivë.
Ai është vlerësuar edhe me çmime kombëtare edhe në Rumani duke u shpallur përkthyesi më i mirë i vitit për perkthimin e veprave të Kadaresë.
Marius Dobrescu është ndër ata personalitete që sot mban të gjalla lidhjet dhe komunikimin shpirtëror ndërmjet kulturës shqiptare dhe asaj rumune.
Marius Dobrescu u lind në Braila (qyteti i Naum Veqilharxhit) më 23 prill 1951, ai mbaroi studimet për gjuhë-letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës në vitin 1975.
Punoi si Drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Rumanisë (1990-1997), pastaj hyri në gazetari.
Aktualisht është redaktor i periodikut të pakicës shqiptare të Rumanisë, revista "Miku i shqiptarit". Antar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë (nga viti 1990), specialist në çështjen e arumunëve të Ballkanit, antar i Shoqatës rumune për Politikën e Jashtme, fitues i konkursit vjetor letrar "Penda e Argjendte" (Tiranë, 2006). Shkrimtar për fëmijë - romani i tij, "Takimi te plepi i djegur", i përkthyer në gjuhën shqipe nga Dionis Bubani, u botua nga shtëpia botuese Enciklopedike në vitin 1996.
Më 1996, Marius Dobrescu përktheu për Teatrin Nacional të Rumanisë dramatizimin e "Gjeneralit të ushtrisë së vdekur", që u luajt një sezon në Bukuresht duke patur një sukses të jashtëzakonshëm. Nga letërsia shqipe përktheu gjithashtu, romanin "Një vit i hidhur" të shkrimtarit Teodor Laço (1997), vepra te autoreve te mirenjohur si Fahri Balliu, Stefan Capaliku, Ramiz Gjini etj.
n.e/NOA