Tiranë, 12 gusht, NOA – Pas kthimit nga turi i vizitave zyrtare në Qipro, Siri dhe Liban, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta deklaroi se Kosova dhe zhvillimet më të fundit në rajon, qenë në qendër të bisedimeve me autoritetet e larta të këtyre vendeve.
Ministri Meta duke iu referuar takimit që ka patur me ministrin Plotësues të Punëve të Jashtme të Greqisë, Droutsas në Athinë, tha se “shkëmbyem mendime dhe mirëkuptim për zhvillimet më të fundit në rajon, por edhe në tërësi për perspektivën e çështjes së Kosovës, e cila pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, padyshim ka hyrë në një fazë të re më të konsoliduar se më parë”.
Ministri Meta theksoi se me zotin Droutsas “ndamë mendimin se pikërisht mënyra konstruktive e trajtimit jashtë çdo diference mes vendeve të rajonit, forcon rrugëtimin dhe perspektivën e përbashkët të të gjithë vendeve tona dhe patjetër, që në këtë drejtim, edhe Axhenda 2014 e Kryeministrit të Greqisë Papandreu, për integrimin evropian të vendeve tona është një inkurajim i fuqishëm”.
Ministri i Punëve të Jashtme gjatë bashkëbisedimit me mediat theksoi se në vizitën në Qipro, një vend i BE-së, që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, tha se në takimin me Presidentin qipriot, Dimitris Kristofias, “ramë dakort se çështja e Kosovës, është një rast unik, dhe se nuk mund të hiqet asnjë paralele me raste të tjera”.
“Përkundrazi, është një çështje, që ka të bëjë me vullnetin jo vetëm të një populli të tërë, por njëkohësisht me një proces zinxhir të shpërbërjes së Ish –Jugosllavisë, e cila nuk ekziston më prej kohësh, si dhe me legjitimitetin, që buron jo vetëm nga vullneti i shprehur për drejtësi, por dhe nga respektimi i akteve ndërkombëtare për Kosovën, si Rezoluta 1244 e OKB-së”, deklaroi zëvendëskryeministri Meta.
Gjatë vizitës në Siri, zoti Meta theksoi se në takimin me Presidentin e vendit, Bashar al-Assad, me të cilin u diskutua për situatën në rajonin e Ballkanit, në rajonin e Lindjes së Mesme, “mund t’ju them se ishte një takim, nga i cili unë shpresoj shumë në të ardhmen edhe për një rivlerësim të çështjes së Kosovës nga ana e Sirisë, veçanërisht tani pas opinionit të dhënë nga GJND-ja”.
Ndërkohë, tha Meta, “kam konfirmuar qëndrimin tonë për një zgjidhje paqësore të konfliktit në Lindjen e Mesme, në përputhje me qëndrimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së si dhe të BE-së”.
Ministri i Punëve të Jashtme tha se edhe në Liban, ku pati takime me Presidentin e vendit, Michel Suleiman, Kryetarin e Parlamentit, Nabih Berri, me homologun Dr. Ali Hussein Al Chami, por edhe me Ministra të tjerë të Qeverisë libaneze, “kemi rënë dakord për të nënshkruar së shpejti disa marrëveshje të rëndësishme në fushën e bashkëpunimit ekonomik, ashtu sikurse kam kërkuar dhe nga ana e Libanit, njohjen e shtetit të Kosovës pas opinionit të GJND-së”.
Ndërsa, bëri me dije se me ministrin e Jashtëm të Qipros, kanë rënë dakort për të intensifikuar marrëdhëniet dypalëshe, sidomos në fushën e ekonomisë dhe të arsimit, por edhe për mbrojtjen dhe nxitjen e investimeve midis dy vendeve.
Sipas Metës në këtë kontekst në fushën e arsimit, do të ketë një angazhim konkret për akordimin e bursave të konsiderueshme për studentët shqiptarë që dëshirojnë të studiojnë në universitetet e Qipros.
Njëkohësisht ministri Meta tha se edhe me Sirinë do të nënshkruhen në një të ardhme të afërt disa marrëveshje, të cilat janë në proces negociimi për sa i përket fushës së arsimit, ashtu sikurse kemi vlerësuar se është e rëndësishme mbarëvajtja e komunitetit me origjinë shqiptare, që jeton atje.
mit/NOA