Pogradec, 12 Gusht, NOA – Ndërsa ishte duke kërcënuar me armë familjarët e tij, një 41-vjeçar është ndaluar menjëherë nga forcat e policisë, ku këto të fundit pas një kontrolli të ushtruar në “shtëpinë e sherrit”, kanë gjetur një arsenal të vërtetë armësh.
Bëhet fjalë për 41-vjeçarin Jorgo Tare, banues në fshatin Gështenjas të Pogradecit, i cili është arrestuar në flagrancë për veprën penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake” dhe “Kanosjes”, të parashikuara nga nenet 278/2 dhe 84 të Kodit Penal.
Konkretisht, gjatë kontrollit të banesës së tij, iu gjetën dhe bllokuan me cilësinë e provës materiale një automatik me 1 krehër të vendosur me 30-fishekë; 4 krehëra automatiku, ku secili kishte nga 30 fishekë; 470 copë fishekë; 2 granata dore me ngjyrë jeshile dhe 5 kapsolla detonatore.
U kryen veprimet proceduriale, ndërsa materialet do t’i kalojnë prokurorisë së Korçës për hetime të mëtejshme.
n.e/NOA