Tiranë, 12 gusht, NOA – Partia Socialiste aludon se heshtja e kryeministri Berisha ndaj akuzave të njëpasnjëshme për korrupsion të publikuara me fakte nga selia rozë, nënkupton se pranon përfshirjen e tij në aferat korruptive të njerëzve të tij dhe kapjen e shtetit.
Deputeti i PS-së, Eltar Deda deklaroi nga selia rozë, se “Ose Kryeministri është i përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në pasurimin korruptiv të pushtetarëve e fëmijëve të tij në kurriz të qytetarëve. Ose ai vetë, është aq i kapur nga korrupsioni në familje sa nuk guxon të hapë kutinë e Pandorës së korrupsionit në qeverinë, që ka zgjedhur vetë e sot drejton”, theksoi deputeti i PS-së.
Sipas deputetit socialist, Paratë e Argitës, bijës së kryeministrit, 1 milionë e gjysmë Eurot e Priftit dhe 4 miliardë dollarët e Vokshit, flasin për kapje të shtetit.
Deputeti Deda tha ndërkaq se në të dyja rastet heshtja e kryeministrit është një goditje kundër shtetit ligjor dhe interesave të shqiptarëve.
“Në të dyja rastet, faji i tij përpara të gjithë opinionit publik është i qartë, Sali Berisha, sot më tepër se kurrë është pjesë e korrupsionit, që ka kapur shtetin”, nënvizoi socialisti Deda.
Partia Socialiste thekson se u bënë tre javë, që kjo seli denoncon publikisht me fakte, aferat korruptive të zyrtarëve të lartë të këtij pushteti.
I pari pushtetar i akuzuar ishte, ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, i cili vetëm në tre muajt e para të tij në qeverinë Berisha e rriti pasurinë me më shumë se një milion e gjysëm Euro.
Më pas akuzat e PS-së me fakte zyrtare, për korrupsion e konflikt interesi, u drejtuan ndaj deputetes demokrate Albana Vokshi, ish-Këshilltare për ekonominë e Sali Berishës, e cila sipas PS-së, ka përfituar në emrin e burrit të saj dhjetëra miliona Euro koncesione, që kapin vlerën e 4 miliardë dollarë naftë e gaz natyror.
Duke iu referuar të dy rasteve të akuzuar për korrupsion me detyrën dhe përfitime në konflikt të hapur interesi, deputeti Deda theksoi se “Të dy janë raste që në vazhdën e luftës kundër korrupsionit, kërkesë themelore e Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave e zotim publik të Sali Berishës për tre fushata elektorale, duheshin hetuar e vënë përpara drejtësisë”.
“Ne nuk kemi dëgjuar as edhe një fjalë të vetme nga Kryeministri, megjithëse këto afera kanë ndodhur pak hapa larg zyrës së tij, e me vetë firmën e tij”, përfundoi deputeti socialist.
mit/NOA