English

PS: Letra e DASH, qeveria e padenjë për të përfaqësuar aspiratat e shqiptarëve

Tiranë, 12 Gusht, NOA – “Ankesat e qeverisë shqiptare ndaj qëndrimeve të ambasadorit të SHBA-ve dëshmojnë një sharlatanizëm politik dhe mungesë sensi e përgjegjësie kombëtare, kur dihet nga praktika e marrëdhënieve ndërkombëtare se një ambasador përfaqëson qëndrimet dhe pikëpamjet e vendit të vet”.

Kështu është shprehur sot deputeti socialist, Ditmir Bushati, në emër të selisë rozë, lidhur me përmbajtjen e asaj që ai e prezantoi si letër e ndihmës-sekretarit amerikan të Shtetit, Philip Gordon, me kërkesë dhe në emër të sekretares së Shtetit Hillary Clinton, ndaj diplomacisë shqiptare.

“Kjo letër ishte përgjigje ndaj ankesave të përsëritura të qeverisë së Sali Berishës, për qëndrimet e mbajtura nga ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, John L.Uithers, II. Letra është një qëndrim i rikonfirmuar i qeverisë amerikane në lidhje me zgjidhjen e shpejtë të krizës politike e garantimin e pavarësisë së funksionimit të institucioneve. Konsiderojmë në të njëjtën kohë se mesazhi i Departamentit Amerikan të Shtetit është një paralajmërim i qartë ndaj aventurës së Sali Berishës për të vënë nën kontrollin personal çdo qelizë të shtetit të së drejtës, përfshirë edhe Shërbimin Informativ Shtetëror”, tha në fjalën e tij, Bushati.

Më tej, ai ka pohuar se qëndrimet e ambasadorit në ikje, Uithers dhe atij në ardhje, Arvizu, në lidhje me zhvillimet politike në Shqipëri ngjasojnë si dy pika uji, pasi nuk janë qëndrime personale, por qëndrimet e aleatit kryesor të kombit shqiptar, SHBA-ve.

“Është e pafalshme që Sali Berisha me praktikat okulte të ‘96-‘97, përdori Lulzim Bashën në 2008 dhe Ilir Metën në 2010, respektivisht me administratën Bush dhe Obama, për t'u ankuar ndaj përfaqësueve diplomatik të SHBA-ve, të cilët kanë dhënë një ndihmë të pakursyer ndaj vendit dhe kombit tonë qysh nga ekzistenca e shtetit shqiptar. Këto veprime të qeverisë së Sali Berishës janë edhe më të dënueshme në kushtet kur roli gjeopolitik i shqiptarëve në rajon është rritur ndjeshëm, sidomos dekadën e fundit, falë mbështetjes së vyer të SHBA-ve”, përfundoi deklaratën e tij, deputeti Bushati.

n.e/NOA

KOMENTE