Tiranë, 12 gusht, NOA – Pas alarmit për rritjen abuzive të çmimit të bukës, si rezultat i rritjes së çmimit të miellit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve gjatë kontrolleve të ushtruara në 120 subjekte, të Tiranës dhe Durrësit evidentoi 20 subjekte që kishin rritur në mënyrë fiktive çmimin e bukës; dhe në 27 subjekte u vendosën gjoba me vlerë 3 500 000 lekë si dhe u sekuestruan 10 ton miell i pashoqëruar me faturë.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka ndërmarrë një verifikim të hollësishëm në terren në subjektet e tregtimit me shumicë të miellit dhe furrave prodhuese të bukës.
Sipas DPT-së, qëllimi i këtyre kontrolleve në rang kombëtar bëhet për verifikimin e çmimit të blerjes dhe shitjes së produkteve, pasi megjithëse çmimet e importit të grurit nuk kanë ndryshuar, në ditët e fundit është vënë re një rritje e çmimit të bukës në mënyrë abuzive.
Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëjnë të ditur se këto kontrolle do të vazhdojnë edhe në ditët në vazhdim, me qëllim uljen e evazionit fiskal dhe moslejimin e rritjes në mënyrë abuzive të çmimit të bukës.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve garanton se do të marrë të gjitha masat administrative për ndëshkimin dhe parandalimin e këtij fenomeni.
Madje, DPT, i kujton konsumatorëve edhe numrin e vënë në dispozicion të tyre për çdo ankesë të vërejtur 0800 14 14, në të cilin të interesuari mund të telefonojnë falas, për të denoncuar rastet abuzive të ngritjes së çmimit të bukës.
Rritja e çmimit të bukës është bërë publik në disa media edhe përmes Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.
mit/NOA