Tiranë, 12 Gusht, NOA – “Prodhimi vendas i grurit mbulon vetëm 10-15% të nevojave për grurë, ndërsa sasinë tjetër të tij, prodhuesit e miellit janë të detyruar që ta blejnë në tregjet ndërkombëtare duke iu nënshtruar ecurisë së bursës së drithërave”.
Kjo është njëra nga arsyet që citon Unioni i Tregtarëve Agroushqimorë, në një deklaratë të tij, mbi rritjen e detyrueshme të çmimit të bukës, e cila sipas këtij organizmi nuk është aspak abuzive dhe se prodhuesit e bukës nuk kanë të bëjnë aspak me një “pozicion monopolist në treg”.
Nga ana tjetër, UTA përmend edhe faktin që falë investimeve të fuqishme dhe moderne në teknologjinë e prodhimit të miellit ushqimor, është bërë e mundur që në Shqipëri të mbahet çmimi më i ulët për 1 kg miell e për rrjedhojë, edhe për 1 kg bukë jo vetëm në krahasim me vendet europiane, por dhe me vendet fqinje si Kosova, Maqedonia, Mali i Zi etj.
Ndërsa në lidhje me çmimin e grurit deklarata e UTA-së sqaron se “vetëm gjatë këtyre 3 javëve të fundit, çmimi në bursë i grurit është rritur me 100-150 $/ton ose rreth 70-75%, ndërsa çmimi i miellit nga prodhuesit vendas është rritur vetëm me 15-20%, duke amortizuar në mënyrë të ndjeshme rritjen e çmimit të grurit në tregun e bursës, pasi kanë shfrytëzuar sasinë gjendje të miellit që kanë pasur”.
“Lidhur me deklarimet për ‘pozicion monopol’ të prodhuesve të miellit, bëjmë me dije opinionin publik që në kushtet e konkurrencës së lirë dhe të funksionimit të një tregu global rajonal e më gjerë, nuk mund të flitet më për një monopolizim të tregut të miellit, pasi prodhuesit e grurit si Serbia, Bullgaria etj, janë shumë afër”, përfundon deklarata e Unionit të Tregtarëve Agroushqimorë.
n.e/NOA