Tiranë, 13 Gusht, NOA – Fushata e ndërgjegjësimit dhe pastrimit të plazheve e organizuar nga AMC dhe Korpusi i Vullnetarëve, e nisur në ditën ndërkombëtare të mjedisit, pesë qershor, ka përfunduar për këtë sezon veror.
Gjatë këtyre dy muajve Forumi i Mendimit të Lirë me Korpusin e Vullnetarëve të mbështetur nga AMC, kanë organizuar disa aksione masive për pastrimin e zonave bregdetare nga papastërtitë si dhe ndërgjegjësimin e pushuesve për ruajtjen e ambientit, kryesisht zonave bregdetare.
Qëllimi i këtyre aksioneve ka qenë jo vetëm pastrimi i plazheve dhe i zonave përreth nga mbetjet, por edhe ndërgjegjësimi i komunitetit të zonës, pushuesve dhe bizneseve për rëndësinë e një mjedisi të pastër.
Vetëm një mjedis i pastër do të mundësojë një vazhdimësi të turizmit dhe zhvillimit të mëtejshëm të këtyre zonave.
Për këtë qëllim, gjatë aksioneve në vijën bregdetare shqiptare, nga Velipoja e deri në Vlorë, është komunikuar me turistët dhe me bizneset lokale për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit.
Këtë vit, aksionet ishin fokusuar në plazhe që kanë filluar të vizitohen nga shumë turistë këto vitet e fundit, plazhe që më parë nuk kishin frekuentim masiv. Vullnetarët dhe punonjësit e AMC kanë kryer pastrimin e plazheve prej mbetjeve të krijuara nga pushuesit por edhe nga bizneset që zhvillojnë aktivitetin e tyre në mënyrë të papërgjegjshme.
Në të gjitha aksionet ku Korpusi i Vullnetarëve dhe punonjësit e AMC kanë marrë pjesë kanë kërkuar edhe përfshirjen e komunave dhe bashkive, të cilët i janë përgjigjur pozitivisht ftesës për bashkëpunim.
Vullnetarëve të ardhur nga Tirana i janë bashkuar edhe stafi i komunave apo bashkive ku është kryer aksioni për të pastruar dhe ndërgjegjësuar pushuesit dhe komunitetin në dobi të mjedisit. Funksionarët e lartë të bashkive apo komunave kanë falënderuar ndihmesën e madhe që japin Korpusi i Vullnetarëve dhe AMC në ruajtjen e mjedisit dhe rrjedhimisht edhe rritjen e turizmit.
Vullnetarët u organizuan në grupe duke bërë të mundur pastrimin e pjesës së bregdetit si zonën përreth nga mbetjet. Në përfundim të çdo aksioni pastrimi rreth 100 thasë me mbeturina ngarkoheshin në kamionin e plehrave për t’u transportuar më pas në pikat përkatëse të grumbullimit të tyre.
Për AMC, mjedisi është një nga shtyllat kryesore të përgjegjësisë sociale së korporatës. AMC ka mbështetur përherë nisma në përfitim të mjedisit duke përfshirë në politikat e saj programe të shtimit i territoreve të gjelbra ku përfshihen projekte të pyllëzimit dhe mbjelljes së pemëve dhe të menaxhimit i mbetjeve ku përfshihen programe të pastrimit, programe të brendshme të reduktimit dhe riciklimit të letrës dhe ri-përdorimit të pajisjeve elektronike.
Për AMC është shumë i rëndësishëm raporti harmonik midis veprimtarisë së përditshme dhe kujdesjes ndaj ambientit.
Një botë plot përkujdesje ndaj ambientit është në të mirën e të gjithëve.
NOA