Tiranë, 13 gusht, NOA - Pak ditë para fillimit të vënies në zbatim të projektit pilot, për administrimin e ri të sistemit të parkimit me pagesë, Bashkia e Tiranës ka vazhduar sensibilizimin dhe informimin e qytetarëve, lidhur me detajet e këtij projekti të rëndësishëm, i cili synon të lehtësojë gjithashtu situatën e trafikut në kryeqytet. Drejtori i Transportit dhe Lëvizshmërisë në Bashkinë e Tiranës, Enton Punavija e bëri këtë ndërgjegjësim të opinionit publik, në një prej zonave pilot, siç është bulevardi "Dëshmorët e Kombit", mu përballë Hotel Dajtit, ku do të nisë zbatimi i këtij projekti.
Duke folur për rëndësinë e këtij projekti pilot të Bashkisë së Tiranës, Punavija tha se “jemi këtu për të risensibilizuar opinionin publik, se duke filluar nga dita e hënë, pra pas datës 15, do të fillojë aplikimi i sistemit të ri të parkimit publik me pagesë, një sistem i ri administrimi, të cilin ne e kemi lançuar edhe dy javë më parë, dhe që konsiston në ndarjen e shitjes së biletës nga kontrolli i parkimit me pagesë”.
Duke dhënë hollësi mbi zbatimin e projektit, Drejtori nPunavija theksoi se “Ashtu siç e shikoni edhe në sfond, janë vendosur pikat, të cilat do të bëjnë të mundur shitjen e biletave të parkimit. Bileta konsiston në gërvishtjen e vitit, muajit, datës dhe orës së fillimit të vendqendrimit me pagesë”.
Sipas Punavijës, bileta është njëorëshe, dy orëshe dhe treorëshe.
Zoti Punavija e cilësoi këtë projekt si shumë të rëndësishëm për Bashkinë e Tiranës, sa i përket menaxhimit të trafikut dhe lehtësimit të tij në kryeqytet, duke i dhënë prioritet transportit publik dhe zonave për këmbësorë. Në këtë kontekst Punavija ripërsëriti kërkesën që qytetarët të bashkëpunojnë për realizimin me sukses të këtij projekti të Bashkisë së kryeqytetit.
Qëllimi i këtij projekti pilot është ngritja e një sistemi të ri administrimi të parkimit, ku të ndahet sistemi i shitjes së biletës nga sistemi i kontrollit.
Projekti do të nisë të zbatohet pas datës 15 gusht, në dy zona kryesore të Tiranës, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit" dhe disa akse rrugore rrotull tij dhe në sheshin "Italia", pranë stadiumit "Qemal Stafa".
Zonat ku do të fillojë zbatimi i projektit pilot të parkimit me pagesë: janë Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", duke filluar nga kryqëzimi mes dy Ministrive, deri tek Ura e Madhe e "Dajtit"; Bulevardi "Gjergj Fishta", nga Ura e madhe e "Dajtit", deri tek Ura "Dëshmorët e 4 Shkurtit" dhe që nga kryqëzimi i rrugës "Myslym Shyri" me rrugën "Dëshmorët e 4 Shkurtit", e deri tek Ura e Re e Bllokut.
Gjithashtu, zona tjetër është zona përpara stadiumit "Qemal Stafa", që është sheshi "Italia", me të gjithë rrethimet e tij, si nga krahu lindor, krahu verior dhe nga krahu perëndimor. Sipas Bashkisë, bileta, e cila do të ketë të gjithë elementët e sigurisë është e ndërtuar në mënyrë të thjeshtë dhe është lehtësisht e përdorueshme nga çdo qytetar.
Ajo vendoset në një vend të dukshëm, në pjesën e brendshme të xhamit të makinës, për të qenë lehtësisht e identifikueshme nga kontrollorët.
Do të jenë strukturat e Policisë Bashkiake, ato që do të bëjnë kontrollin dhe do të marrin masat përkatëse administrative.
Për kundravajtësit e sistemit do të aplikohen sanksionet e parashikuara në Kodin Rrugor, sanksione të cilat arrijnë deri në heqjen e mjetit me karroatrec.
Disa pika shitje do të vendosen në afërsi të vend-parkimeve publike me pagesë, të parashikuara në këtë projekt pilot, në distanca të afërta, duke u mundësuar qytetarëve lehtësinë e pajisjes me biletë, në çdo moment, që ata do të vendosin të parkojnë mjetet e tyre në zonat e mësipërme, zona të cilat do të jenë të pajisura me sinjalistikën e nevojshme rrugore.
Ky projekt synon të promovojë zbatimin e politikave të reduktimit të lëvizjes me mjete private, duke i dhënë prioritet lëvizjes me mjetet e transportit publik, biçikleta, këmbësorë, dhe pritet të ndihmojë në uljen e ndotjes së ambientit dhe rritjen e cilësisë së jetës në komunitet.
mit/NOA