Tiranë, 13 gusht, NOA – Janë investimet në infrastrukturë ato që kanë mundësuar zhvillimin e madh të turizmit shqiptar.
Me lajtmotiv turizmin, kryeministri Sali Berisha ritheksoi sot në mbledhjen e qeverisë se “Turizmi është shndërruar sot, në degë kryesore të ekonomisë së vendit. Në rast se në 7 muaj pati rreth 1 miliard dollarë eksporte, të ardhurat nga turizmi janë ndjeshëm më të mëdha dhe ato kanë një shpërndarje të shkëlqyer, jo vetëm tek ata që presin pushues, por edhe tek një zinxhir i tërë prodhuesish. Faktikisht, kjo bën, që Shqipëria të ketë dy periudha kulmore shitjesh, fundvitin dhe gushtin, ku shënohet një rritje e jashtëzakonshme e fuqisë blerëse të vendit”, tha kryeministri.
Sipas zotit Berisha vetëm në qarkun e Vlorës janë ndërtuar apo janë në ndërtim mbi 250 kilometra rrugë kombëtare, rurale, dytësore të ndryshme, 90 përqind e të cilave u përkasin tërësisht zonave turistike të këtij qarku, duke kapur në total si qark plot 670 milion euro investime.
Në fjalën e tij shefi i qeverisë tha se turizmi këtë vit ishte më masiv se kurrë.
“Vetëm në 9 ditët e para të gushtit, tunelin e rrugës Durrës-Morinë e kaluan rreth 15 mijë qytetarë më shumë se gjatë gjithë gushtit të vitit të kaluar. Pra, ka pasur një vërshim të paparë dhe unë dua të përgëzoj policinë kufitare, doganat, të gjitha institucionet, agjencitë, qeveritë vendore për përkushtimin serioz që kanë dëshmuar për mbarësinë e këtij sezoni”, nënvizoi zoti Berisha.
Në këtë kontekst të investimeve, kryeministri Berisha tha se qeveria duhet të parashikojë një ndihmë të posaçme për rrugët nëpër komunat e bregdetit, pasi ato i kanë mjetet më të kufizuara se bashkitë.
“E theksoj se vlerësoj përpjekjet dhe punën, që kanë bërë këto komuna, por ndodhemi para një zhvillimi shumë të fuqishëm, që realisht ka ardhur këto dy vjet, që pas ndërtimit të rrugës. Më parë aty nuk shkohej, pasi të dukej si një udhëtim në ferr. Ne duhet t’i ndihmojmë komunat. Ne duhet të parashikojmë një ndihmë të posaçme, pasi komunat i kanë mjetet më të kufizuara. Sikundër, në tërësi, ato janë të urbanizuara mirë, por nëse rrugët, që zbresin drejt detit po përfundojnë në të gjithë territorin, ne duhet të merremi me rrugët brenda fshatit, ku mund të ketë turistë. Gjithashtu investimet në ujësjellës po ecin”, theksoi kreu i qeverisë, Berisha.
Por, kryeministri përtej vlerësimeve të aspekteve pozitive shefi i qeverisë, tha se të gjithë ata që kanë shkelur çdo kondicion, kanë shkelur rregullat në kundërshtim me çdo standard dhe moral, do të ndëshkohen në mënyrën më të vendosur.
“E ngrenë biznesin mbi ujërat e zeza, ua japin të tjerëve, vijnë nga ana e anës dhe nuk respektojnë rregullin mbi të cilin kanë ndërtuar. Mediat kanë bërë shumë mirë, që kanë raportuar, por kjo situatë ekziston tek Shkëmbi i Kavajës dhe në Golem, jo në territorin e Durrësit, pasi në Durrës ka kolektor të madh e të fuqishëm. Edhe në këto zona ai është në ndërtim e sipër, është projekti, por kjo nuk do të thotë kurrë të ndodhë ajo që keni parë në media. Ndaj t’i marrim këto përgjegjësi, t’i njohim të gjitha problematikat e krijuara, t’i korrigjojmë me vendosmëri”, deklaroi kryeministri Berisha.
Por, në mbyllje të mbledhjes së qeverisë, për mediat, kryeministri Berisha nuk la pa përmendur rekordin e tij, për të cilin kreu i qeverisë, tha se ka ndjekur shembullin e kampionit rus, Sergei Bubka.
“Të jem i sinqertë me ju, e shpall gjithnjë nën atë që realizoj, sepse viti i ardhshëm më pret. E dyta, gjëja më interesante ishte se kur dola në breg për të marrë medaljen, pashë majtas veten time, pashë djathtas sërish veten time. Kjo më prishi entuziazmin. Në not nuk isha vetëm. Një prej miqve më tha: “E di si është puna Sali, është e çuditshme, po ty të mban uji. Me tjetrin shkova më thellë. Ai nuk pranoi, duke më thënë se nuk shkonte se mund të kishte peshkaqenë. I thashë, ç’punë ke ti me peshkaqenët, ata kanë punë me kryeministrin, jo me ty”, përfundoi kryeministri Sali Berisha, ashtu siç e ka zakon me një tonalitet të hollë humori.
mit/NOA