English

Durrës, ekzekutimi i 19 vjeçarit, Mario Curri, autori ende i paidentifikuar

Durrës, 13 gusht, NOA – Policia e Durrësit po punon intensivisht për identifikimin e autorit të vrasjes së 19 vjeçarit, Mario Luan Curri, i ekzekutuar dje në orën 14.26, në vendin e quajtur “Sheshi Pranvera” në lagjen Nr.11 të qytetit bregdetar, konkretisht në afërsi të stacionit të furgonave të linjës Durrës-Tiranë.

19 vjeçari, u ekzekutua mbi trotuar, nga një person akoma i paidentifikuar.

Burime zyrtare pranë policisë së Durrësit, thanë dje për agjencinë NOA se pistat e para të dyshimit janë se 19 vjeçari Mario Curri është ekzekutuar për hakmarrje, pasi rreth gjashtë muaj më parë, 19 vjeçarit i kishin vrarë të atin Luan Curri dhe të vëllanë, Ani Curri, si dhe mbeti i vrarë një person i tretë.

Vrasja e trefishtë sipas policisë ndodhi në fund të janarit të këtij viti, pranë një lokali bastesh, në Durrës, vrasje për të cilën policia thotë se u fut në “lojë”, një vrasës me pagesë.

I lindur në qytetin, Arianos-Irpino në Itali, Mario Curri, rezultonte i padënuar më parë.

Viktima mësohet se ishte i sapokthyer nga Italia, një javë më parë, dhe banonte në lagjen Nr.9 në Durrës.

Nga hetimet e policisë ka rezultuar se vrasja është kryer me armë zjarri pistoletë, nga një person ende i paidentifikuar, i cili më pas është larguar nga vendi i ngjarjes në këmbë duke iu shmangur hetimit.

Policia po vijon ende hetimin e rrethanave të këtij krimi, dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes, ku u ekzekutua 19 vjeçari Mario Curri, tetë muaj pas vrasjes së të atit dhe vëllait, në janar, një vrasje e trefishtë, të cilit ende nuk i është zbuluar autori, duke bërë të qartë se është një krim i vjetër për hakmarrje.

mit/NOA
KOMENTE