English

Fshihnin pistoletë në makinë, kapen 4 të rinj

Lezhë, 13 gusht, NOA – Ndërsa udhëtonin me makinë, 4 të rinj mbanin të fshehur poshtë sediljes një pistoletë së bashku me një karikator me 5 fishekë, të cilat janë gjetur dhe sekuestruar gjatë kontrollit të forcave policore.

Ngjarja bëhet me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA nga forcat policore të Lezhës, sipas të cilave, menjëherë janë arrestuar në flagrancë 4 të rinjtë të cilët mbajnë emrat Martin Leka, 22-vjeç, me banim ne fshatin Simon të Mirditës; Klevis Prenga, 21-vjeç, me banim në fshatin Barbullojë të Lezhës; Sokol Shtjefni, 27-vjeç, me banim në Malësi të Lezhës dhe Jak Ndoj, 19-vjeç, me banim në Barbullojë të Lezhës.

Arrestimi i tyre u bë pasi rreth orëve të para të mëngjesit, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e markës Benz me targë P 68 NKË, që po lëvizte në qytetin e Lezhës, në përdorim nga Sokol Shtjefni, së bashku me të lartpërmendurit e tjerë, është gjetur një armë zjarri, pistoletë e tipit TT model 54 së bashku me një karikator me 5 fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Konkretisht, arma është gjetur poshtë sediljes ku po rrinte Martin Leka, i cili përveç veprës penale “Moskallëzim i krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal e cila rëndon ndaj shokëve të tij, ka mbi shpatulla edhe veprën penale të “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, parashikuar nga neni 278/2 i Kodit Penal.

Ndërsa Jak Ndoj, i ndaluari i katërt, mësohet se ka qenë i dënuar edhe më parë për veprat penale të “Vjedhjes” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake e municionit”.

Materialet iu kaluan prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme hetimore.

n.e/NOA

KOMENTE