English

Letra e DASH, PS: Berisha drejton diplomacinë si në kohën e diktaturës, me letra anonime

Tiranë, 13 gusht, NOA – Letra e dërguar nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe pikërisht nga ndihmës sekretari, Philip Gordon, për qeverinë shqiptare, ka qenë rishtas pjesë e akuzave të selisë rozë, e cila deklaroi se mënyra e trajtimit të diplomacisë nga Sali Berisha, përmes letrash anonime, është një sharlatanizëm politik dhe papërgjegjshmëri.

Nënkryetari i Partisë Socialiste, Eduart Shalsi deklaroi se “Vetëm Sali Berisha nuk e kupton se kur një ambasador shprehet për një çështje, ai nuk shpreh mendimin e vet personal, por përfaqëson qëndrimin e shtetit të tij”.

Në këtë kontekst, theksoi Shalsi, “Mënyra se si Sali Berisha drejton diplomacinë, përmes letrave të tilla anonime, tregon për një mungesë të theksuar serioziteti, për papërgjegjshmëri, për një sharlatanizëm, që po dëmton rëndë aspiratat e shqiptarëve”.

“Është për të ardhur keq kur sheh se në çfarë niveli ka rënë diplomacia shqiptare. Kjo ngjarje, që do të kishte përbërë një skandal në çdo shtet normal, mesa duket nuk është mjaftueshëm e rëndësishme, për Sali Berishën, i cili vazhdon të injorojë kërkesat e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë”, tha Shalsi.

Deputeti Shalsi iu referua edhe mohimit nga Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, të ekzistencës së një letër ankese nga pala shqiptare, duke bërë pyetjen se “Nëse qeveria shqiptare nuk është ankuar ndonjëherë zyrtarisht tek Departamenti i Shtetit Amerikan në lidhje me deklaratat e ambasadorit amerikan, atëherë kujt i përgjigjet ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Philip Gordon”?

Sipas deputetit socialist, Sali Berisha duke ndjekur gjurmët e veta si sekretar i Partisë Komuniste, vazhdon të shkruaje edhe sot në 2010-ën, letra anonime, njësoj si 30 vjet më parë.

“Tani, që përgjigja e Departamentit të Shtetit ishte e qartë, jo vetëm në raport me nevojën urgjente për zgjidhjen e krizës politike, por dhe për garantimin e pavarësisë së institucioneve, e veçanërisht shërbimit informativ, Sali Berisha duhet të reflektojë dhe të veprojë të paktën njëherë në mënyrë të përgjegjshme”, nënvizoi Shalsi.

Deputeti i Partisë Socialiste riformuloi të njëjtat thirrje drejtuar kryeministrit Berisha, duke i kërkuar atij, “Të zgjidhë krizën politike, të heqë dorë nga kontrolli mbi gjykatat dhe të harrojë çmenduritë në raport me shërbimin informativ shqiptar”.

mit/NOA
KOMENTE