Himarë, 13 gusht, NOA Update - Policia e Shtetit bën me dije se në Himarë, rruga është hapur dhe se tani nuk ka asnjë bllokim qarkullimi përgjatë saj.
Lajmi konfirmohet prej tyre në mënyrë paraprake për agjencinë e Lajmeve NOA, duke pohuar se është negociuar me protestuesit dhe se tani rruga rezulton të jetë e hapur.
Aksi rrugor Vlorë-Sarandë u bllokua që në orët e mbrëmjes së djeshme, duke krijuar radhë deri në 3 kilometra makina të ndaluara në vend, të pamundura për të lëvizur dot.
Gjithçka ka ndodhur për shkak të një aksidenti i cili i ka marrë jetën një të riu në rrugën e Himarës, Aristotel Guma, 35-vjeç.
Ky i fundit mësohet se është gjendur i vdekur në orët e natës dhe një orë më pas, banorët menjëherë kanë bllokuar rrugën.
Nga hetimet paraprake bëhet e ditur se Guma gjendej duke ecur me një motor mbrëmjen duke hyrë e Premtja, rreth orës 22.30 në Himarë kur u godit nga pas nga një automjet që drejtohej nga një shtetas kosovar.
n.e/NOA