English

Presidenti kthen për rishqyrtim në Kuvend ligjin e pronave: Shkel kushtetueshmërinë

Tiranë, 13 gusht, NOA – Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka kthyer ligjin e ndryshuar për kthimin dhe kompesimin e pronës për tu rishqyrtuar në Kuvend, pikërisht sa i përket kushtetueshmërisë së tij dhe zbatimit, në të mirë të kësaj çështjeje të rëndësishme, që mban peng pronat e pronarëve të ligjshëm, duke mos u dhënë zgjidhje në këto 20 vjet tranzicion post-komunist.

Në faqen zyrtare të presidencës, Presidenti citohet të ketë thënë se “E shqyrtova me vëmendje këtë ligj dhe jam i ndërgjegjshëm për problematikën, dimensionin dhe rëndësinë që ka. Vlerësoj se e drejta e pronës dhe e gëzimit të saj është një nga kolonat bazë të funksionimit normal të një shoqërie demokratike dhe se garantimi i saj do të konsolidonte zhvillimin e shoqërisë shqiptare. Por, me qëllim, që zgjidhja e ofruar të jetë sa më pranë standarteve të të drejtave të njeriut dhe atyre kushtetuese, vendosa ta kthej ligjin edhe njëherë për rishqyrtim në Kuvend, për shkakun se gjykoj se ka vend të rishikohet, si përsa i përket kushtetushmërisë së tij, por edhe për ta bërë atë efektiv dhe të zbatueshëm”.

Presidenti thekson në këtë njoftim zyrtar, se “Rregullimet e bëra në ligjin e ardhur për shpallje janë, në thelb, të njëjta me ligjin e marrë në shqyrtim dhe të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese në vendimin e sipërcituar. Arsyetimi dhe vendimi i dhënë nga Gjykata Kushtetuese janë qartazi të referueshme për rregullimet e ligjit të ri. Vlerësoj se, jo vetëm për shkak të mospërputhshmërisë së ligjit me Kushtetutën, vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, por edhe sepse neni 132 i Kushtetutës ka përcaktuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese të përgjithshme dhe janë përfundimtare, ligji i ardhur për shpallje ka nevojë për rishikim”, nënvizoi zoti Topi.

Presidenti sqaron më tej se “Kushtetuta ka përcaktuar se e drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë shtetërore, duke garantuar kështu një nga parimet bazë të shtetit të së drejtës, atë të sigurisë juridike. Ndërsa, ajo që propozohet me ligjin e ardhur për shpallje nuk është në përputhje me këtë vullnet kushtetues, por në kundërshtim me të”.

Presidenti nënvizon se “Duke i dhënë mundësinë A.K.K.P-së të rishikojë vendime të ish-komisioneve për kthimin dhe kompensimin e pronave dhe për më tepër edhe t’i shfuqizojë ato, i heq pronarit mundësinë e të gëzuarit të pronës së tij i qetë dhe sigurt për një të drejtë të fituar në përputhje me normat kushtetutese dhe ligjore. Pra, rregullimi ligjor i propozuar cënon parimin e sigurisë juridike, parim ky i përshkruar në nenin 4 të Kushtetutës. Ky rregullim i ri ligjor, njëkohësisht, shkel detyrimin që shteti ynë ka në përputhje me nenin 1, të Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe me jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut, ku Shqipëria është përballur në një numër rastesh për respektimin e tyre, sipas së cilës e drejta e pronës nënkupton jo vetëm njohjen dhe garantimin e saj, por, edhe detyrimin e shtetit që në rast të pamundësisë së përmirësimit të standartit të mbrojtjes së pronës apo të drejtave të fituara, së paku, të ruajë standartin e krijuar dhe të ofrojë siguri për ruajtjen e tij”, vuri theksin Presidenti Topi.

“Vlerësoj se rregullimi ligjor, që propozohet vjen ndesh me Kushtetutën e Republikës, preambulën e saj dhe nenet 4, 41, 132 dhe 181 të saj. Është detyrë e Kuvendit, sipas Kushtetutës, të nxjerrë ligje për rregullimin e drejtë të çështjes së pronës, të shpronësuar dhe konfiskuar padrejtësisht nga regjimi komunist. Është parim kushtetues që neni 41 ka vënë lidhur me të drejtën e pronës private, e cila mbrohet prej Kushtetutës. Kushtetuta detyron Kuvendin e Shqipërisë dhe më tej të gjitha strukturat e shtetit që të bëjnë rregullime ligjore për të garantuar të drejtën e pronës private dhe të bëjnë të mundur që pronarit të shpronësuar dhe konfiskuar t’i kthehet prona plotësisht dhe në pamundësi të kompensohet në mënyrë të plotë dhe të drejtë për pronën e tij”, bëri me dije Kuvendin e Shqipërisë, Presidenti i Republikës.

Kreu i Shtetit duke iu referuar çështjeve të njohura të pronësisë në vendet ish komuniste, tha se “E drejta e një personi për t’u njohur pronar i një sendi rregullohet nga Kodi Civil, si rrjedhim Gjykata çmon se jemi jashtë fushës së veprimit të së drejtës publike, e cila rregullon veprimet e organeve shtetërore në mbrojtje të interesave publike… Në këto kushte, kur një person vinte në lëvizje me kërkesë KKKP-në, kjo kërkesë ishte e barazvlefshme si të ishte bërë para gjykatës dhe vendimi i KKK-së ishte në gjendje që të krijonte te individi të njëjtën pritshmëri që krijon një vendim gjyqësor i cili i njeh individit pronësinë mbi një send. Në këtë përfundim ka arritur edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, në çështjen Viasu kundër Rumanisë, Ramadhi apo Hamzaraj kundër Shqipërisë, duke barazuar vendimin e KKKP-së, me një vendim gjyqësor, i cili krijon pritshmërinë e ligjshme të individit se ose do të vihet në posedim të pronës ose do të dëmshpërblehet”.

Presidenti nënvizoi duke iu referuar gjykatave se “vendimet e A.K.K.P-së për të shfuqizuar vendimet e K.K.K.P-ve, përbëjnë cënim të parimit të sigurisë juridike. Vendimi i KKKP-së, i cili nuk është ankimuar brenda afateve ligjore merr formën e prerë. Këtë qëndrim ka mbajtur edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, në çështjen Ramadhi dhe të tjerët kundër Shqipërisë, duke cilësuar vendimet e paankimuara të Komisioneve të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave si “të formës së prerë dhe të ekzekutueshme”.

Pikërisht për këto shkelje të së drejtës kushtetuese Presidenti Topi ka kthyer edhe njëherë për rishqyrtim projektligjin me ndryshime të ligjit për kthimin e kompesimin e pronave, i mbërritur në presidencë në 27 korrik, me motivacionin për disa shtesa dhe ndryshime.

mit/NOA
KOMENTE