Tiranë, 13 Gusht, NOA – Këshilli i Ministrave miratoi sot projektligjin e ri për artin dhe kulturën, i cili për herë të parë, trajton të gjitha gjinitë e artit.
Deri tani ka pasur një ligj për artin skenik, i cili trajtonte vetëm artin dramatik dhe muzikën, ndërsa në projektligjin e ri futen edhe libri dhe artet pamore, duke mbyllur të gjithë spektrin e gjinive të artit.
Projektligji, në nenin 5 të tij, mundëson ngritjen e dy institucioneve të reja, Teatrit Kombëtar të Komedisë dhe të Cirkut Kombëtar, premtime këto që Kryeministri Berisha i ka bërë në takimet me artistët.
Gjithashtu, me projektligjin e ri do të fillojë të funksionojë edhe Qendra Kombëtare e Artit. Tek kjo Qendër, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve delegon të gjithë projektin e fondeve artistike, që me hyrjen në fuqi të ligjit nuk do të bëhen më nga ministria, por nga ky institucion i ri.
Projektligji, gjithashtu, do të mundësojë që nga granti për kulturën, që qeverisja qendrore delegon tek qeveritë lokale, një pjesë e këtij fondi do të lihet në dispozicion për funksionimin e teatrove të rretheve, të cilët po mbijetojnë më shumë vështirësi.
n.e/NOA