Shkup, 13 Gusht, NOA – “Qëllimet e caktuara me Marrëveshjen e Ohrit ende nuk janë të realizuara edhe atë me fajin e drejtpërdrejtë të atyre që e nënshkruan atë marrëveshje në emër të popullit”.
Kështu është shprehur Imer Selmani, kryetar i PDR-së në Maqedoni, përmes një deklarate, me anë të së cilës ka komentuar 9-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit.
“Para 9 viteve u nënshkruajt Marrëveshja e Ohrit, marrëveshje e cila ndërpreu luftën e vitit 2001, marrëveshje e cila vendit tonë do t’i siguronte zhvillim, harmoni në marrëdhëniet ndëretnike si shtet multi-etnik me të drejta më të mëdha kolektive të shqiptarëve në Maqedoni, marrëveshje e cila vendit tonë i hapi rrugën drejt integrimeve euro-atlantike”, tha ai.
Sipas tij, sot qeveria aktuale jo vetëm që nuk e implementon Marrëveshjen e Ohrit, por edhe në çdo mënyrë mundohet të dredhojë atë dhe ta interpretojë në mënyrë sa më restriktive duke anashkaluar shtyllat kryesore të saj siç janë gjuha, simbolet, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, amnistia, decentralizimi etj.
“Nga qeveria aktuale nuk kemi asnjë prezantim transparent para qytetarëve për pjesët e realizuara dhe për pjesët që duhet realizuar, edhe pse kanë kaluar plotë 5 vite nga afati për realizimin e plotë të Marrëveshjes”, tha ai.
Duke shtuar, me të drejtë sot i pyesim VMRO dhe BDI, a nuk duan të implementojnë Marrëveshjen apo nuk kanë kapacitet politik dhe nuk janë të aftë të realizojnë obligimet që dalin nga aji, apo ndoshta në pyetje është edhe njëra edhe tjetra?
“Apelojmë te Qeveria aktuale që urgjentisht të dalë në mënyrë transparente të informojë opinionin se si qëndron realizimi i Marrëveshjes dhe si planifikon që të njëjtën ta realizojë më tutje”, përfundon Selmani.
n.e/NOA