English

Studimi: Papunësia e të rinjve në botë, ka arritur nivele rekord

Bruksel, 13 Gusht, DW – Një studim i ri ka nxjerrë rezultatin se papunësia e të rinjve në botë ka arritur nivel rekord, veçanërisht në vendet e zhvilluara dhe në Evropën Lindore. 81 milionë të rinj nga 15 deri 24-vjeçarë kanë qenë pa punë në fund të 2009.

Organizata ndërkombëtare e punës, ILO, thotë se tregu u punës për të rinjtë ka qenë i favorshëm deri në vitin 2007.

Deri në këtë vit, papunësia ka qenë në rënie të vazhdueshme në pjesën më të madhe të rajoneve. Dhjetë vjet më parë, me fillimin e krizës ekonomike, thekson raporti, numri i të rinjve të papunë u rrit mesatarisht me 200 mijë në vit, por në vitin 2009 numri i të rinjve të papunë u rrit me 6.7 milionë.

Ekonomistja e ILO-s dhe bashkë-autorja e raportit, Sara Elders thotë se papunësia e të rinjve është më e madhe në vendet e zhvilluara dhe në vendet e Evropës Qendrore dhe juglindore që nuk janë anëtare të BE-së:

“Vetëm në këto dy rajone, kemi parë rritjen më të madhe të papunësisë së të rinjve në një rajon për gjithë kohën që kemi filluar të mbledhim të dhënat, që nga viti 1991. Niveli i papunësisë prej 17,7 përqind në ekonomitë e zhvilluara është më e larta e ndonjë rajoni”.

Raporti shënon se gratë e reja janë më të prekurat nga papunësia, në të gjitha rajonet. Përjashtim këtu bëjnë vendet e BE-së, ku numri i të rinjve meshkuj të papunë është dyfishi i të rejave të papuna. ILO ka gjetur se norma të larta të rritjes së papunësisë tek të rinjtë në Estoni, Letoni dhe Lituani.

Elder thotë se ne disa vende, ndër të cilat Spanjë, Britani e Madhe, të rinjtë të papunë janë të dekurajuar dhe kanë pushuar së kërkuari punë.

"Ajo që qeveritë po përpiqen të bëjnë kudo janë marrja e masave në mënyrë që të mos arrihet që të rinjtë të shkëputen plotësisht nga tregu i punës, të humbasin krejtësisht shpresat se janë në gjendje të sigurojnë vetë një jetë më të mirë... Papunësia është më shumë një problem i vendeve të zhvilluara se i atyre në zhvillim”.

Shumica e të rinjve jetojnë në vendet në zhvillim

Ndërkohë që dhjetë përqind e të rinjve të papunë jetojnë në vendet e zhvilluara, në këto vende papunësia e të rinjve ka arritur në 45 përqind.

Sipas raportit të ILO-s, 90 përqind e të rinjve të botës jetojnë në vendet në zhvillim, ku varfëria dhe mungesa e vendeve të punës janë problemet më të mëdha. Ekonomisti i ILO-s dhe bashkautori i raportit. Steven Kapsos thotë se të rinjtë në vendet në zhvillim që janë të papunë nuk marrin asnjë ndihmë.

Kështu që ata nuk kanë asnjë alternativë tjetër. Atyre u duhet të punojnë dhe shpesh përfundojnë në ekonominë e zezë.

“Ne vlerësojmë se në vitin 2008, 152 milionë të rinj janë klasifikuar si të varfër në bazë të standarteve ndërkombëtare, pra me të ardhura nën kufirin e varfërisë prej 1,25 dollarësh në ditë. Kjo përbën 28 përqind të të rinjve në mbarë botën.”

Për vitin e ardhshëm, ILO parashikon përmirësime të lehta në të gjitha rajonet. Papunësia më e madhe tek të rinjtë pritet në Evropën Qendrore dhe Juglindore dhe në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik.

DW

KOMENTE