Tiranë, 13 gusht, NOA – “Ndërkohë, që Sali Berisha flet për boom turistik, të ardhurat fiskale për periudhën qershor - korrik të kësaj vere, krahasuar me vitin e kaluar, tregojnë qartë se fatkeqësisht boom nuk ka”. Kështu ka reaguar deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Bare, pasi dëgjoi deklaratën e kryeministrit Sali Berisha, që sot në mbledhjen e qeverisë tha se Turizmi shqiptar po përjeton një brom të vërtetë këtë vit.
“Është për të ardhur keq, që Sali Berisha vazhdon të gënjejë shqiptarët dhe të abuzojë me shifrat. Fatkeqësisht, krahasuar me një vit më parë, shqiptarët janë sot më të papunë dhe detyrohen të mbijetojnë me më pak të ardhura. Fajtor për këtë ka vetëm një njeri, Sali Berisha”, theksoi nga selia rozë, deputeti Bare.
Duke iu referuar thënieve të ethshme të kryeministrit për boom turistik, Bare nënvizoi se “faktet e publikuara nga vetë Instat dhe Ministria e Financave, janë në kundërshtim të hapur me deklarimet e sotme të Kryeministrit”.
Sipas statistikave dhe përllogaritjeve të inflacionit për periudhën dymujore, qershor – korrik, Bare tha të ardhurat janë 3,3%, dhe krahasuar me një vit më parë shënojnë rënie të të ardhurave në total, stanjacion të plotë të të ardhurave tatimore dhe doganore, rënie të të ardhurave nga tatimi i vlerës së shtuar.
“Ndërkohë, shifra më e rëndësishme, që kundërshton haptasi deklaratat e Sali Berishës është rënia drastike me 15% e të ardhurave personale në periudhën qershor – korrik, krahasuar me një vit më parë”, sqaroi për mediat deputeti socialist, Besnik Bare.
mit/NOA