Vlorë, 13 gusht, NOA – Pas një sherri për motive etnike dhe vrasjes sipas policise, me dashje, të shtetasit nga Himara, Aristidh Guma, ngjarje për të cilën banorët bllokuan rrugën me orë të tëra gjatë ceremonisë së varrimit të tij sot, policia e Vlorës ka arrestuar sot 7 persona dhe në kërkim është një i tetë.
Burime nga policia e Vlorës konfirmuan se të arrestuarit janë 21 vjeçari nga Vlora Aleksander Lavdosh Gjokaj; 22 vjeçari nga Vlora Bledar Engjëll Meminaj; 25 vjeçari Andi Petrit Kotorri; 23 vjeçari Juxhin Mentor Mustafaraj banues në Tiranë; 19 vjeçari Dijon Gjolek Bushi nga Vlora; 21 vjeçari Fabjon Fatosh Jahaj; 22 vjeçari Endrit Zeqir Salataj, edhe këta të fundit banues në Vlorë, ndërsa në kërkim është shpallur Ilir Muka.
Arrestimi i shtatë personave dhe shpallja në kërkim e Ilir Mukës, u bë pasi ata akuzohen si autorë të vrasjes me dashje dhe përkrahjes së autorit të krimit, që i solli vdekjen mbrëmë, himarjotit Aristidh Guma.
Ngjarja ku gjeti vdekjen Aristidh Guma, ndodhi mbrëmë rreth 22.00, kur Aleksander Gjokaj, Bledar Meminaj, Andi Kotorri dhe Juxhin Mustafaraj, teksa udhëtonin me një mjet tip Audi, me ngjyrë gri, me targa angleze, një makinë e drejtuar nga Ilir Muka, në aksin rrugor të Himarës, pas një debati etnik me shtetasin Aristidh Guma, banor i fshatit Himarë, i cili po udhëtonte me motoçikletë në të njëjtën rrugë, në vendin e quajtur “Avli”, e kanë përplasur fort atë me automjetin e tyre duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.Drejtuesi i mjetit ka braktisur makinën dhe është larguar nga vendngjarja. Ndërkohë, viktima Teli Guma është marrë për t’u transportuar në spitalin më të afërt, por ka vdekur rrugës për shkak të plagëve serioze.
Sipas dëshmive të cituara nga bashkëpunëtori ynë në vendin e ngjarjes, një ditë më parë, viktima i Aristidh Guma ka debatuar me disa të rinj kosovarë për çështje etnike.
Guma mbronte idenë se Himara është Greqi, ide e cila është kundërshtuar fort nga të rinjtë kosovarë.
Sikundër bëri të ditur policia menjëherë pas kësaj ngjarjeje ata janë larguar dhe janë fshehur në vendin “Përroi i Vishës”, ku i kanë telefonuar tre shokëve të tyre, shtetasit Endrit Salataj, Dijon Bushi dhe Fabjon Jahaj, të cilët udhëtonin pas tyre me automjetin me targa VL 8312 C, në momentin e ngjarjes.
Tre shtetasit, tashmë të arrestuar, Endrit Salataj, Dijon Bushi dhe Fabjon Jahaj kanë marrë shtetasin Ilir Mukaj dhe janë larguar për në drejtim të Jalit, me qëllim fshehjen e tij.
Nga informacionet e policisë, mësohet se dje ka qenë pikërisht Ilir Muka që rreth orës 13.00, është konfliktuar për motive etnike, me disa banorë të Himarës.
Strukturat e Policisë së Shtetit vazhdojnë punën në mënyrë intensive për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, Ilir Muka.
Ndërkohë, po punohet në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës, për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë ligjor të saj.
i.t/NOA
VIDEOT: Reagimet politike:
{youtube}uLvWFPMv5N0{/youtube}
Pamje nga varrimi i Gumës
{youtube}sZqGswmDSWg{/youtube}
Reagon Ministria e Brendshme
{youtube}Xvxmf-7dwTY{/youtube}