English

Berisha inauguron rrugën e plazhit në Dhërmi: Investimet, prioritet i yni

Dhërmi, 14 gusht, NOA – Në vijim të inaugurimeve në bregun e Jugut, kryeministri Berisha bashkë me ministrin Olldashi, deputetë dhe kryetarin e Himarës Bollano, inauguroi rrugën që zbret në Dhërmi dhe në Drimadhë, një investim ky prej 230 milion lekësh.

Në ceremoninë e rastit, kryeministri tha se investimet në zonën e jugut dhe në mbarë Shqipërinë do të vijojnë pasi ky është prioriteti kryesor i kësaj qeverie.

“Qeveria ka investuar rreth 5 miliard lekë në rrugë dhe infrastrukturë. Fondi Rural i Zhvillimit ka ndërtuar gjatë këtyre 5 viteve në qarkun e Vlorës 70 km rrugë, me një shumë prej 13 milion eurosh. Ku vetëm në sistemin energjetik të qarkut të Vlorës, janë investuar këto 5 vite 270 milion euro”, tha ai.

Sipas Berishës, këto investime nuk do të mbeten vetëm në kuadrin e infrastrukturës, por edhe në sektorë të tjerë të rëndësishëm si në ujësjellës, kanalizime, energjetike dhe në bujqësi.

Më tej, kryeministri premtoi se më të mëdha dhe më të fuqishme do të jenë investimet e viteve që vijnë, se kjo qeveri është e vendosur të bëjë gjithçka për një fytyrë të vërtetë evropiane, duke garantuar se në epiqendër të kësaj politike qëndron qytetari.

n.e/NOA

KOMENTE