English

Blerim Shala: Kosova nuk mund të shndërrohet në një përbindësh administrativ

Prishtinë, 14 Gusht, NOA – “Kemi informata të bazuara që zyrtarë të qeverisë së Kosovës kanë pasur takime të fshehta me Serbinë”.

Kështu është shprehur në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, përfaqësuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala, sipas të cilit, “bisedimet Prishtinë-Beograd për çka do qoftë, janë bisedime të cilat zgjojnë shqetësimin e qytetarëve të Kosovës”.

Zoti Shala, Partia juaj ka ngritur këto ditë pohimet se qeveria e Kosovës po bisedon fshehtas me Serbinë, pohime që janë mohuar nga qeveria e vendit. A keni vërtetë informacione të sakta për këtë apo është një lëvizje opozitare, sic thonë një pjesë e vëzhguesve?

Jo. Me tema të tilla nuk bën të bëhet politikë absolutisht. Kemi informata të bazuara që zyrtarë të qeverisë së Kosovës kanë pasur takime të tilla.

Çfarë kemi kërkuar ne si Aleancë, është, në bazë të përvojës së mirë në këtë aspekt, në Rambouillet dhe gjatë procesit të definimit të statusit të Kosovës, ta bëjmë shpalosjen publike të agjendës së bisedimeve përmes qeverisë, Kuvendit të Kosovës, shoqërisë civile, sepse është një temë tepër e ndjeshme.

Ju e dini fare mirë që bisedimet Prishtinë-Beograd për çka do qoftë, janë bisedime të cilat zgjojnë shqetësimin e qytetarëve të Kosovës. Pra, insistimi jonë është le ta përgatisim agjendën, le ta kalojmë në Kuvendin e Kosovës, e pastaj ta shohim se çfarë mund të arrihet me ato bisedime, natyrisht me synimin që kemi të bëjmë me bisedime midis dy shteteve fqinje, me synim të sigurimit të fqinjësisë së mirë, që është parakusht për t’u anëtarësuar në BE dhe paktin NATO.

Por qeveria e mohon një gjë të tillë. Sipas jush, cilat mund të ishin përfitimet e qeverisë nga bisedimet e këtij formati?

T’ju them hapur, mendoj se qeveritarët e Kosovës para GJND-së kanë pasur përshtypjen që vlerësimi i GJND-së do të jetë i dykuptimshëm, siç është pritur prej të gjithë neve, duhet thënë krejt hapur.

Vlerësimi i GJND-së ishte një befasi jashtëzakonisht e mirë për të gjithë ne dhe për qarqet diplomatike perëndimore. Dhe supozimi është se ka pasur përpjekje për të vendosur kontakte me zyrtarë serbë për të matur pulsin e njëri tjetrit se çfarë mund të bisedohet dhe çfarë mund të arrihet.

Por ne kemi krijuar një avantazh të madh pas 22 korrikut, situata ka ndërruar në mënyrë radikale. Kështu që, tash mendoj se qeveria e Kosovës, institucionet e Kosovës duhet të fokusohen në njohjet sa më të mëdha të pavarësisë së Kosovës, që të materializojmë këtë avantazh të 22 korrikut, të mbërrijmë numrin e duhur të njohjeve dhe të aplikojmë për t’u anëtarësuar në OKB. Kjo nuk mund të arrihet sivjet, duhet ta themi sinqerisht.

Caku jonë i përbashkët duhet të jetë vjeshta e vitit 2011, kur mendoj që megjithatë nëse punohet si duhet prej nesh, mund të arrihet kualiteti i duhur i njohjeve ashtu që mund të aplikojmë për anëtarësim në OKB.

Shala, qeveria u ka bërë thirrje që të jeni pjesë e procesit politik. A jeni të gatshëm të përfshiheni në veprimet e qeverisë dhe carë mund të bëni ju si opozitë?

Mendoj anasjelltas, ne kemi bërë, ju e dini fare mirë ofertën për tryezë të rrumbullakët. Ne kemi thënë si parti opozitare, që për temat madhore, çfarë janë edhe bisedimet me Beogradin, por gjithsesi edhe strategjia për veriun e Kosovës, temat e njohjes së Kosovës nga shtetet tjera, duhet të ketë një dialog midis qeverisë dhe opozitës, duhet të ketë një bashkërenditje të përpjekjeve, sepse është interes jetik i të gjithë qytetarëve të Kosovës të kemi depërtime në këto segmente dhe që Kosova të akomodohet në arenën ndërkombëtare por edhe brenda territorit të saj sepse e dimë fare mirë se çfarë po ndodhë në veri të Kosovës.

Kjo ofertë është bërë publike. Mund t’ju them hapur që dy herë është bërë në mënyrë konfidenciale, një herë është bërë në mënyrë publike.

Tri herë kemi bërë ofertën për tryezë të rrumbullakët në 18 muajt e kaluar, tri herë është refuzuar kjo kërkesë prej qeverisë së Kosovës, sepse po supozoj, ata dëshirojnë të monopolizojnë, po mendojnë që mund të monopolizojnë temat madhore për çështjen e Kosovës, gjë që është gabim në qasje, gabim në model të veprimit.

Por, krijimi i tryezave në një kohë kur vendi ka institucionet e tij, nuk është njëfarë dyzimi i veprimeve institucionale?

Jo, mendoj që nuk është. Shikoni, ne nuk kemi kërkuar ekip të unitetit, një strukturë të ngurtë, nëse mund të shprehem ashtu, që do të merrte mbi vete përgjegjësinë politike për të gjitha temat, siç ka ndodhë në vitet 2005 – 2007.

Jo, ne kemi menduar që është një periudhë shumë e ndjeshme dhe kemi përvojat nga shtetet e ndryshme edhe në periudhën paskomuniste edhe në periudhat e ndryshimeve të mëdha, kur bëhet një përpjekje nga presidenti i vendit, nga kryeministri i vendit që të ketë një konsensus me partitë opozitare dhe më gjithë atë shoqëri për temat madhore.

Shikoni, tema e veriut të Kosovës, këtë duhet thënë krejtësisht hapur, është temë e cila na takon të gjithë neve. Ne tash nuk mund ta politizojmë, ta bëjmë garë politike të përditshme të akuzave dhe kundër akuzave midis qeverisë dhe opozitës se kush çka po bënë për veri, kush çka po bënë për dialogun Prishtinë-Beograd, i cili supozohet që do të ndodhë, kush çka po bënë për njohjet ndërkombëtare.

Secili prej nesh, nëse ka pak mundësi të kontribuojë për njohjet ndërkombëtare, pse të mos vejë veten në dispozicion të kësaj tryeze të rrumbullakët ashtu që së bashku të punojmë në të mirën e qytetarëve të Kosovës. Kjo nuk i përjashton temat tjera politike se kjo është një demokraci në zhvillim e sipër dhe me siguri ka një mori temash, sidomos temat ekonomike dhe sociale ku mund të kemi një dialog të mirëfilltë dhe një garë të mirëfilltë politike.

Zoti Shala e përmendët disa herë veriun e Kosovës që është një prej çështjeve kryesore të hapura dhe të pazgjidhura në Kosovës. Si e shihni ju zgjidhjen e këtij problemi dhe si i vlerësoni idetë për zgjidhjen e kësaj çështjeje në dritën e propozimeve të tilla si modeli i Tirolit jugor?

Ne mendojmë fuqimisht që veriu i Kosovës duhet të trajtohet sipas pakos së Ahtisaarit apo sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës e cila e ka përvetësuar në tërësi pakon e presidentit Ahtisaari. Cdo solucion tjetër shtesë, keni dëgjuar në të kaluarën formula të llojit “Ahtisaari plus”, autonomi të veçantë për veriun, Tirolin Jugor, mendojmë që është i gabuar.

Nuk mund të ketë asimetri në të drejtat e serbëve të Kosovës, sepse krijojmë telashe të mëdha për serbët e Kosovës, por edhe për funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Ju kujtohet që presidenti Ahtisaari, zëvendësi i tij, Alber Rohan por edhe ne së bashku, patëm mbërri deri tek disa vija të kuqe të cilat nuk mund të kalohen.

Njëra prej vijave të kuqe është që të mos shndërrohet Kosova në një përbindësh administrativ. Tash, nëse në një pjesë të Kosovës, funksionon decentralizimi në bazë të pakos së Ahtisaarit, ndërsa në veri të Kosovës kemi një autonomi plus, apo një Tirol jugor me të drejta të mbledhjes së tatimeve, ne realisht krijojmë një sistem të çoroditur dhe brenda 11 mijë kilometrave katrorë krijojmë sisteme që nuk janë kompatibile dhe me siguri kemi telashe shumë të mëdha.

Pra, zgjidhja është zbatimi i pakos së Ahtisaarit në tërësinë e saj dhe mendoj se ky është një solucion shumë i mirë për serbët e Kosovës. U pa edhe në Gracanicë, u pa në komunat që u krijuan që serbët e Kosovës erdhën në mbështetje të këtij dokumenti.

Por, zoti Shala, ne veri është një situatë tjetër edhe për arsye thjeshtë gjeografike dhe ka një mospranim në shkallë të gjerë të institucioneve të Kosovës. Si të zbatohen këto pa pasur subjektin që do të marrë përsipër zbatimin?

Keni plotësisht të drejtë. Ne, ta zëmë, parimisht e kemi përkrahë strategjinë për veriun e Kosovës, e cila është hartuar në bashkërenditje ndërmjet Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe qeverisë së Kosovës.

Kemi thënë se sa i përket qëllimeve të strategjisë gjithçka është në rregull sepse ai është një nën dokument i pakos së Ahtisaarit dhe nuk ka kurrfarë kontradikte midis qëllimeve të strategjisë dhe synimeve të artikuluar me pakon e Ahtisaarit. Por, kemi thënë se duhet të kemi mekanizma për zbatimin e strategjisë. Nuk mund të zbatohet ajo vetëm prej qeverisë së Kosovës, vetëm prej nesh. Duhet një partneritet midis nesh, EULEX-it, KFOR-it, Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, ka kërkuar përmbylljen e procesit të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës që nënkupton zvogëlimin e rolit të kësaj pranie ndërkombëtare. A bien ndesh këto ...?

Po, mendoj që bien ndesh, Shikoni, ka ambasadori Christopher Dell, duhet ta citoj se ka një fjali shumë të saktë, të cilën e ka thënë, nëse nuk gaboj edhe për ju, në të kaluarën që “rruga e daljes së KFOR-it nga Kosova shkon kah veriu i Kosovës”.

Pra shumë qartë. Do të thotë, duhet të integrohet veriu i Kosovës, të stabilizohet gjendja në veri, atëherë mund të flitet për reduktimin e KFOR-it dhe për daljen e KFOR-it nga Kosova. E njëjta vlen për EULEX-in, për Zyrën Civile Ndërkombëtare, për përmbylljen e të ashtuquajturës fazë të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, apo sovranitetit të kufizuar. Janë disa caqe kyçe që nuk janë jetësuar akoma.

Nuk është pakoja e Ahtisaarit vetëm decentralizimi. Pakoja e Ahtisaarit është edhe sigurimi i integritetit territorial, është fuqizimi i rendit e ligjit, tash po del edhe luftimi i korrupsionit sepse është një prej caqeve të EULEX-it. Pra të gjitha këto tema duhet të trajtohen dhe ne kur të mbërrijmë së bashku në cak, kur e stabilizojmë gjendjen e Kosovës, pas disa vitesh, jam i sigurt që kualiteti që do të krijohet në shtetin e Kosovës, do të na bëjë neve automatikisht kandidat serioz për të hyrë në paktin NATO dhe në BE.

Zoti Shala, ju keni qenë një nga negociatorët për statusin e Kosovës, Nga pikëpamja juaj, a ka rrezik që veriu të jetë pjesë e debateve të ardhshme me Beogradin, duke pasur parasysh edhe faktin që Beogradi ka kërkuar në Rezolutën e tij hapjen e bisedimeve për çështje të hapura dhe çështje e hapur është veriu?

Absolutisht, absolutisht po. Beogradi e ka zbutë draft rezolutën, ka pasë draft rezolutë shumë më të egër, por situata me GJND-në ndryshoi në mënyrë dramatike percepcionin edhe në Beograd sa i përket temës së Kosovës dhe tash ata e bënë formulimin, e thatë shumë saktë, që Prishtina dhe Beogradi si palë, duhet t’i trajtojnë çështjet problematike.

Për ne çështje problematike nuk është statusi, nuk është integriteti territorial i Kosovës, as pakoja e Ahtisaarit. Për Serbinë, tema e parë dhe e fundit është statusi i Kosovës, gjegjësisht, ideja e tyre e cila ka dalë hapur pak javë para se GJND-ja të marrë vendimin, për shkëmbim të territoreve, për ndarje territoriale të Kosovës, me një teori të mbrapsht më shumë tregtare se politike që nuk mund një palë të fitojë të gjithat dhe tjetra palë t’i humbë të gjithat.

Shikoni, ne kemi pasë luftë në Kosovë, kemi pasë përpjekje për gjenocid. Sipas ekspertëve ndërkombëtarë, çfarë ka ndodhur në Kosovë, ka qenë përpjekje për gjenocid. Ne është dashtë përmes shteteve tjera, sepse nuk kemi pasë të drejtë vet, ndoshta ta padisim Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për përpjekje për gjenocid dhe do ta fitonim rastin me pak përpjekje.

Kështu që, kur të merren parasysh të gjitha këto, tek e fundit GJND-ja vendosi që Kosova ka pasur të drejtë për pavarësi, në bazë të atij kontekstit historik. Kështu që, ne mendojmë që ka mundur të bëhet më shumë në këtë drejtim, por kryesorja është që tash e tutje njëmend duhet të provojmë të fokusohemi në njohjet e shtetit të Kosovës.

Ndërsa sa i përket dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, nuk mendoj se ne duhet të hezitojmë t;i trajtojmë të gjitha temat që kanë të bëjnë me bisedimet ndërmjet dy shteteve. E kamë thënë shpesh dhe po ua them edhe juve krejtësisht hapur, edhe sikur Serbia të na njihte sot si shtet, ne kemi një mori problemesh që duhet t’i trajtojmë.

Rendi është që të bisedojmë, por të bisedojmë si dy shtete të pavarura për interesa të përbashkëta. Tek e fundit, po shpresoj që Beogradi e ka seriozisht, sepse ne e kemi plotësisht seriozisht kur themi që duam të hyjmë në BE. E me një Kosovë të tillë, me raportet e mbrapshta që i kanë me Kosovën, sesi nuk mundet Beogradi as të ëndërroj që të hyjë në Bashkimin Evropian.

Zoti Shala, po i kthehemi një çështje të brendshme të partisë suaj. Kryetari juaj Ramush Haradinaj ndodhet në Hagë në pritje të rishqyrtimit të pjesshëm të procesit gjyqësor kundër tij. A po e dëmton veprimtarinë tuaj ky zhvillim?

S’ka dyshim. Ne duhet të jemi krejt të sinqertë se prania e zotit Haradinaj në Aleancë, krijon një kualitet krejtësisht tjetër dhe mungesa e tij prandaj, na dëmton në mënyrë thelbësore. Ne po përpiqemi, natyrisht, që të mos vërehet shumë mungesa e tij, gjithnjë në supozim dhe me shpresë që kryetari Haradinaj do të na kthehet shumë shpejt.

Ne jemi të prirë, sepse kryetari na ka mësuar ashtu, të besojmë në drejtësinë ndërkombëtare, të besojmë në drejtësinë e Tribunalit të Hagës. Prandaj rendi është të thuhet se jemi të sigurt, siç ndodhi në prillin e vitit 2008 që do të rikonfirmohet pafajësia e kryetarit Haradinaj, që ai do të na kthehet, sepse njëmend Kosova ka nevojë për të. Nuk e them këtë vetëm si një nga bashkëpunëtorët e tij kryesor, por e them si politikë e Kosovës.

Politika e një vendi siç është Kosova, ndërron për të mirë, po qe se ka garë të mirëfilltë midis partive, midis liderëve. Në këtë garë gjithsesi, roli i kryetarit Haradinaj, është i pazëvendësueshëm.

VOA

KOMENTE