English

Dashuria nuk njeh serbë e shqiptarë - Historia e Edmondës dhe Zoranit

Kurshumli, 14 Gusht, DW – Në rajonin e Kurshumlisë është lidhur martesa e parë serbo-shqiptare. Edhe pse Zorani dhe Edmonda flasin gjuhë të ndryshme, dashuria e tyre mposhti të gjitha barrierat. Ata jetojnë më në fund bashkë.

Në Kurshumli, mjedis ky i pastër etnik serb, asnjëherë më parë nuk ka patur raste të martesave të përziera, të paktën jo në mes të serbëve dhe shqiptarëve. Edhe pse raportet nuk kanë qenë asnjëherë të kënaqshme, pas luftës së Kosovës dhe bombardimeve në vitin 1999 u patën ndërprerë edhe ato lidhje të pakta shoqërore mes serbëve dhe shqiptarëve.

Dashuria kapërcen ndarjen etnike

Jo shumë kohë më parë në fshatin malor të Kurshumlisë, Sagonjevë u lidh martesa e parë në mes të serbit Zoran Tomiq dhe Edmonda Karadakut nga Shqipëria. Dhëndrri i ri me gaz në buzë thotë se nuk ekziston asnjë problem që bëhet fjalë për një martesë të përzierë dhe se ai e ka gjetur fatin e tij: "Raportet janë fenomenale, nuk ka asnjë lloj problemi. Njerëzit në këto anë nuk mund t'i kuptojnë ende disa gjëra, se mund të ekzistojë një ndjenjë e tillë, se ka lindur një besim i ndërsjellë", thotë Zorani.

Që dashuria nuk njeh kufij, e konfirmon edhe Edmonda. Dashuria për Zoranin lindi që me shikimin e parë, kujton ajo. Bashkëshortët Zorani dhe Edmonda janë të bindur se dashuria e tyre i ka tejkaluar të gjitha pengesat, të cilat ekzistonin para se ata të martoheshin. "Nuk më pengon që nuk jemi të të njëjtit besim. Nuk kam pasur asnjë problem kur kam ardhur këtu. Unë kam rënë në dashuri me Zoranin që në takimin e parë dhe pata vendosur që të martohem me të. Tani jam e lumtur dhe nuk jam penduar që kam vendosur të vij në këtë vend ku gjuha dhe kultura janë ndryshe", sqaron Edmonda.

Edmonda dhe Zorani, angazhojnë përkthyes

Barriera gjuhësore, thonë të sapomartuarit, mund të tejkalohet edhe pse Zorani nuk e di gjuhën shqipe ndërsa Edmonda ka mësuar vetëm disa fjalë në gjuhën serbe. "Mirëmëngjes, mirëdita, mirëmbrëma", janë fjalët e para që i ka mësuar shqiptarja Edmonda. "Nuk kuptohemi kur flasim fjali të gjata por në parim kuptohemi kur duam t'i themi diçka njëri-tjetrit", sqaron Zorani.

Ata kanë angazhuar një përkthyes nga Kurshumlija, i cili herë pas here i viziton ata dhe iu mëson gjuhën serbe dhe shqipe. Gjuha e dashurisë nuk ka nevojë të përkthehet por e nevojshme është gjuha për komunikim të përditshëm në shtëpi dhe me fqinjët. Përkthyesi Blagoje Mitroviq thotë se ai i mëson ata me kënaqësi dhe është shumë i gëzuar, siç duket edhe për shkak të lumturisë së tyre: "Jam shumë i kënaqur që kam këtë nder që në njëfarë mënyre t'i ndihmoj këta dy të rinj që të jetojnë së bashku. Gjithmonë do t'iu gjendem pranë", thotë Mitroviç.

Nëse nuk keni fat në dashuri, nisuni në drejtim të Shkodrës!

Martesa e përzier ka shkaktuar mosbesim dhe konfuzion në rrethinën e Kurshumlisë. Sidoqoftë, dhëndrri Zoran Tomiç thotë se pas përvojës së tij të mirë dëshiron t'i porosisë të gjithë ata që nuk kanë arritur të gjejnë dashurinë e tyre atë, ta kërkojnë jashtë rajonit të tyre dhe atë ndoshta pikërisht në Shqipëri: "Kush nuk ka fat në dashuri i këshilloj: Shkoni në drejtim të Shkodrës që të gjeni fatin."

Zorani dhe Edmonda planifikojnë të jetojnë edhe për disa vite në Sagonjevë derisa të kenë përfunduar ndërtimin e shtëpisë në Kurshumli. Ndërkohë ndoshta në jetë do të vijnë edhe pasardhës, thonë të sapomartuarit.

Deutsche Welle

KOMENTE