English

Ekspedita shqiptaro-franceze, zbulohet një statujë romake

Tiranë, 14 Gusht, NOA – Në ditën e katërt të punimeve të ekspeditës shqiptaro-franceze, në sektorin e vilës romake "me impluvium" është zbuluar një statujë romake e përmasave të mëdha.

Nga vëzhgimi i parë, rezulton se është një statujë, busti dhe koka e së cilës janë të ruajtura mjaft mirë, pothuajse krejt të padëmtuara.

Mesa duket, është shtati i një atleti të epokës romake, por studimi i mirëfilltë do të përcaktojë edhe atributin final të kësaj statuje.

Kjo është hera e parë në 50 vitet e fundit që gjendet një statujë e përmasave të mëdha në Apoloni.

Të fundit e këtyre dimensioneve kanë qenë statujat e zbuluara nga ekspedita ruso-shqiptare e drejtuar nga prof. Selim Islami dhe prof. Bllavatski në vitet 1958-1960.

Zbulimi më spektakolar i 50 viteve të fundit në Apoloni erdhi si rezultat i bashkëpunimit të frytshëm të ekspeditës shqiptaro-franceze me zyrën e Administrimit dhe Koordinimit të Parkut Arkeologjik të Apolonisë. n.e/NOA

KOMENTE