English

Hoxha: Pas GJND, Kosova do të jetë në OKB

Nju Jork, 14 gusht, NOA - Ambasadori i Shqipërisë në Misionin e Përhershëm në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, Ferit Hoxha, thotë se Kosova në një të ardhme të afërt do të bëhet anëtare e OKB-së.

“Procedura e pranimit të një vendi në OKB është e përcaktuar në kartën e Kombeve të Bashkuara. Nuk jemi ende në atë fazë edhe pse unë shpresoj se kjo ditë nuk do të jetë e largët”, thotë Hoxha.Ai pohon se Shqipëria me aleatët e saj po bëjnë të gjitha përpjekjet që ta pengojnë miratimin e rezolutës për Kosovën, të cilën Serbia e ka dorëzuar në OKB.

Ndërsa shton se këtë vit prania e Shqipërisë në OKB do të jetë e veçantë duke mos përjashtuar mundësinë e pjesëmarrjes së Presidentit, Kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm më Asamblenë e OKB-së.

Zoti Ambasador si e komentoni mendimin e GJND-së, e cila konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe as me rezolutën 1244 të KS të OKB-së?

Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është një nga ato momente të rrallë e që zënë një vend të veçantë në historinë e një kombi. Në rastin e Kosovës, shpallja e mendimit juridik më të kualifikuar nga Institucioni suprem i drejtësisë ndërkombëtare ka një rëndësi të jashtëzakonshme sepse konfirmoi ligjshmërinë e veprimit të Kuvendit të Kosovës në emër të popullit të Kosovës, ktheu vëmendjen e gjeopolitikës, diplomatëve, shtypit, studiuesve dhe analisteve tek çështja e Kosovës por tashmë në një dritë tjetër, atë të ligjshmërisë së padiskutueshme e cila deri në atë moment mbetej e cenuar nga propaganda dhe pretendimet serbe dhe të disa vendeve të cilat, për arsye të ndryshme, vazhdimisht kanë kundërshtuar pavarësinë e Kosovës. Sot, të gjitha këto vende, pavarësisht nga qëndrimi që do të mbajnë më tej, në argumentimin e tyre kanë një element thelbësor me pak për të kundërshtuar pavarësinë dhe ky është një ndryshim me rëndësi të jashtëzakonshme. Në këtë logjikë, është me vend të gjykohet se shpallja dhe përmbajtja e Opinionit të Gjykatës do të lehtësojë procesin e njohjes së mëtejshme të Kosovës dhe besoj se rezultatet konkrete do të mund te vlerësohen gjate javëve dhe muajve në vijim.

Si e vlerësoni takimi e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, i cili u mbajt menjëherë pas vendimit të GJND-së?

Takimi i Këshillit të Sigurimit i datës 3 gusht 2010 ishte takimi i radhës në serinë e takimeve periodike të Këshillit, në bazë të rezolutës 1244, për të analizuar raportin po ashtu periodik të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së mbi aktivitetin e Misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK. Në këtë këndvështrim, kjo mbledhje e KS nuk kishte ndonjë gjë të veçantë përveç kohës kur mbahej, meqenëse ishte takimi i parë i KS pas shpalljes së opinionit. Fakti që Rusia, e cila gjatë muajit gusht 2010 ka presidencën e Këshillit të Sigurimit, e vendosi këtë çështje në krye të agjendës së saj është jo më shumë sesa tregues i qëndrimit të saj të hershëm e të njohur kundër pavarësisë së Kosovës dhe në mbështetje të hapur të qëndrimit serb. Në këtë këndvështrim, këtu nuk ka asnjë gjë të papritur pasi për sa kohë rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit do të jetë në fuqi, do të ketë takime të tjera periodike të kësaj natyre ku vendet anëtare të Këshillit gjykojnë mbi raportin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe debatojnë mbi situatën në Kosovë duke dëgjuar edhe përfaqësuesit e palëve. Ajo që duhet shënuar është se ky takim ashtu si edhe shumë takime të tjera të ngjashëm të tipit “erdhëm, dëgjuam, takohemi përsëri pas katër muajsh”, të cilët nuk dalin me ndonjë konkluzion apo me ndonjë vendim mund të konsiderohen si aktivitet rutinë pa ndonjë ndikim të veçantë.

Cili mendoni se është ndikimi i këtij vendimi në vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit ?

Ambasadori Hoxha: Në pamje të parë siç edhe u vërtetua gjatë takimit të radhës të Këshillit të Sigurimit me datë 3 gusht, raportet në Këshillin e Sigurimit në lidhje me pavarësinë e Kosovës nuk duken se kanë ndryshuar, të paktën deri tani. Gjithsesi, duhet theksuar se shume vende anëtare të OKB-së përfshirë ato të Këshillit të Sigurimit, siç edhe u shprehen disa prej tyre, janë duke studiuar me vëmendje opinionin e GjDN-së dhe do të artikulojnë mendimin dhe qëndrimin e tyre më konkretisht në javët e ardhshme.

Si e vlerësoni deklaratën e Ministri Hyseni që ka kërkuar zëvendësimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit?

Deklarata e Ministrit Hyseni është e drejtë, e saktë dhe në kohë. Në fakt, që prej shpalljes së Pavarësisë efektet e rezolutës 1244 janë praktikisht e faktikisht të kufizuar dhe në disa aspekte të pavlerë, sepse Kosova ka kuadrin e saj ligjor, institucionet e saj, përfaqësuesit e saj të zgjedhur e legjitime dhe gjatë këtyre dy vjet e gjysmë pavarësi ka treguar se është e aftë të marrë e mbajë përgjegjësitë që i takojnë një shteti. Po ashtu, me kërkesën e qeverisë kosovare dhe na bashkëpunim me BE-në, EULEX është i pranishëm dhe luan një rol shumë të rëndësishëm në forcimin e institucioneve të Kosovës, në radhë të parë për sa i përket forcimit të shtetit ligjor. Kësisoj, është më se e drejtë të mendohet, të thuhet dhe të pranohet se ndoshta OKB nuk ka më nevojë të harxhojë rreth 45 milionë dollarë në vit për një mision, i cili në thelb e ka kryer detyrën e caktuar, për të cilin Kosovaret janë sigurisht mirënjohës dhe do të dëshironin që ato burime të përdoren tjetërkund, atje ku ka më shumë nevojë e vende të tilla në botë janë për fat të keq me shumicë.

Mbarimi i efektit juridik dhe praktik të rezolutës 1244 është në dorë të vendeve anëtare dhe i përgjigjet logjikës politike të qëndrimeve të vendeve që e përbëjnë Këshillin. Megjithatë, në këtë kontekst ndikim do të kenë sigurisht zhvillimet e mëtejshme në planin ndërkombëtar për njohjen e Kosovës, cilësia e raporteve të Sekretarit të Përgjithshëm dhe rekomandimet e tij. Në kushtet e njohura të raporteve dhe debateve në Këshillin e Sigurimit do të duhet të krijohet një masë kritike që do të bëjë të natyrshme heqjen e regjimit të vendosur nga rezoluta 1244. Opinioni i GjND ka dhënë një kontribut të parë shumë të rëndësishëm në këtë aspekt dhe procesi i njohjeve si dhe forcimi i mëtejshëm i shtetit kosovar do të duhet të plotësojnë më tej këtë proces të pandalshëm e të pakthyeshëm.

Sa mendoni ju se ishte i suksesshëm diplomati kosovar, Skënder Hyseni në takimet që i zhvilloi në Nju Jork, javën që kalojë ?

Nuk besoj se më takon mua të gjykoj punën dhe aktivitetin e autoriteteve kosovare. Megjithatë, mund t’ju them pa asnjë hezitim se Ministri Hyseni, ashtu si edhe çdo herë kur gjendet në Neë York e në mënyrë disi më të veçantë këtë herë, ka pasur një numër të konsiderueshëm takimesh, me vende të ndryshme e nga rajone të ndryshme të botës dhe mendoj se ato ishin sa të nevojshme aq edhe të frytshme. Fakti që shumë vende, përfshirë prej atyre që janë hapur kundër pavarësisë së Kosovës, të paktën deri tani, janë të interesuara të dëgjojnë argumentet e palës kosovare është pozitiv dhe mund t’ju siguroj se Ministri Hyseni dhe delegacioni i tij kanë bërë maksimumin për të takuar sa më shumë vende që kanë nevojë të dëgjojnë argumentet solide të palës më të interesuar në këtë proces.

Me çfarë statusi paraqitet në Kombet e Bashkuara Kosova, mbasi Serbia, thotë se ajo nuk është anëtare e OKB-ës. Debate pati edhe në pjesëmarrjen e Ministrit të Jashtëm S. Hyseni në takimin e KS-së. Në këtë kontekst thonë se disa takime janë realizuar përmes Shqipërisë?

Në thelb unë nuk mendoj se ky aspekt ka ndonjë rëndësi. Nëse nuk ka asnjë sekret që Shqipëria së bashku me vendet e tjera partnere dhe fatmirësisht Kosova ka miq të mëdhenj e të fuqishëm, janë treguar gjithnjë të gatshëm të ndihmojnë Kosovën me të gjitha mjetet dhe mënyrat, duhet të them se Kosova vepron si shtet i konsoliduar, ka përfaqësuesit e saj, përfshirë në Neë York (Konsullata e Përgjithshme) e të cilët janë mjaft aktivë brenda mundësive dhe kuadrit në të cilin veprojnë. Autoritetet më ta larta ta Shqipërisë, Kryeministri e Ministri i Jashtëm e kanë thënë e përsëritur vazhdimisht dhe publikisht se asnjë përpjekje nuk do të kursehet për të ndihmuar me gjithçka Kosovën dhe përfaqësuesit e saj në përpjekjet e tyre për njohje ndërkombëtare, forcimin e shtetit dhe institucioneve. Ne e shohim këtë kontribut si një investim me vlerë edhe për forcimin e bashkëpunimit, paqes dhe sigurisë në rajon. Misioni i RSH-së pranë OKB-së, i cili gjendet në një pozicion krejt të veçantë e pararojë, në të gjithë aktivitetin e tij vepron në përputhje të plotë me këtë politikë.

Turqia në shtator do të marrë presidencën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-ës, ndërsa Rusia kryesimin e Këshillit të Sigurimit. Si do të reflektohet kjo ndaj Kosovës?

Besoj se bëhet fjalë për presidencën rrotulluese të Këshillit të Sigurimit e të cilën çdo vend anëtar e mban për një periudhë një mujore. Rusia është presidente e KS për muajin gusht. Turqia do të jetë pasardhësja gjatë muajit shtator e kështu me radhë. Presidenca e radhës ka sigurisht disa prerogativa dhe rol të veçantë kryesisht në hartimin e agjendës së punimeve të Këshillit, pjesëmarrjen e vendeve joanëtare në debate të ndryshme të hapura, përgatitjen e deklaratave të Këshillit etj. Të gjitha këto janë aspekte të rëndësishme sigurisht por jo domosdoshmërisht thelbësore. Për sa i përket Kosovës, kjo gjë nuk do të ketë ndonjë ndikim të veçantë. Mbledhja e ardhshme periodike e KS për Kosovën do të mbahet në fund të muajit nëntor ose gjatë dhjetorit. Për saktësim, Presidenti i sesionit te 65 të Asamblesë së Përgjithshme e që do të hapet në shtator 2010 do të jetë nga Zvicra.

Pavarësisht përgjigjes së qartë të GJND-së Serbia, zyrtarisht e ka dorëzuar në OKB rezolutën . A mendoni Ju se "Koha e frikës për të ardhmen e Kosovës, ka përfunduar dhe debati që bëhet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së do të jetë në vijë me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë "?

Me datë 27 korrik, Serbia dorëzoi në sekretariatin e OKB-së një projekt rezolutë teksti i së cilës është bërë publik. Edhe pse në thelb ky veprim ishte i pritshëm, mënyra dhe koha e dorëzimit me sa duket i përgjigjen një procesi që lidhet me zhvillime të brendshme në Serbi.

Projekt rezoluta L.65 është një tekst që bien në kundërshtim me konkluzionet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i papranueshëm për ne si edhe për të gjitha vendet që e kanë njohur Kosovën. Në thelb ai tekst, edhe pse me një gjuhë në dukje të thjeshtë e të kujdesshme por gjithsesi krejtësisht të identifikueshme për këdo që ka ndjekur me vëmendje gjithë procesin e pavarësimit të Kosovës, kërkon që Asambleja e Përgjithshme tu bëjë thirrje palëve të ulen në bisedime për të përcaktuar bashkërisht statusin e Kosovës. Me një fjalë, gjithçka ka ndodhur deri tani përfshirë njohjen e Kosovës nga 69 vende anëtare të OKB-së, të konsiderohet e paqenë! Ky tekst pritet të debatohet dhe, nëse nuk do të ketë zhvillime të tjera, mbi të do të votohet brenda gjysmës së parë të muajit shtator.

Unë nuk mund të them dot se si do të zhvillohet debati në shtator në lidhje me Kosovën sepse situata është komplekse dhe kjo implikon gjithë anëtarësinë e OKB-së. Ajo që mund t’ju them me siguri është që ne jemi duke bërë dhe do të vazhdojmë deri ditën e votimit të bëjmë çdo përpjekje duke ua shpjeguar në mënyrë sa më të qartë të gjitha atyre vendeve që mendojmë se duhet ta dinë që një tekst i tillë nuk duhet të miratohet sepse është i padobishëm, kontrovers, sepse nëse ka shumë çështje për të cilat palët mund e duhet të bisedojnë, ka një çështje të vetme që është përfundimisht e në mënyrë të pakthyeshme e mbyllur dhe kjo është statusi i Kosovës.

Kosova nuk është nocion por realitet. Kosova nuk është ide apo projekt por një shtet që po zhvillohet dhe forcohet. Kosova nuk është krijesë virtuale por pjesë e qenësishme e gjeopolitikës së Evropës Juglindore dhe kjo është absolutisht e panegociueshme.

Qëndrimi i Kombeve të Bashkuara deri tani ka qenë neutral në lidhje me statusin dhe ashtu duhet të vazhdojë të jetë deri në ditën kur Kosova do të bëjë kërkesë formale për tu pranuar në OKB. Asambleja e Përgjithshme nuk mund dhe nuk duhet të përfshihet në një debat i cili nuk është tagri i saj – njohja apo mosnjohja e një vendi. Kjo është prerogativë e shteteve, e vendeve anëtare, individualisht.

Zoti Ambasador më konkretisht çfarë prisni, në fakt, nga takimi i Asamblesë së Përgjithshme ?

Nga takimi i Asamblesë së Përgjithshme ne presim që ajo të debatojë në lidhje me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, pasi ka qenë pikërisht Asambleja e Përgjithshme që e ka kërkuar këtë opinion. Ne presim që vendet anëtare të shprehen në lidhje me opinionin dhe përmbajtjen e tij. Ne këtë këndvështrim, ne nuk mendojmë se ka vend për të miratuar ndonjë tekst mbi statusin e Kosovës e cili, në gjykimin e konceptin tonë dhe të gjitha atyre vendeve që e kanë njohur Kosovën, është një çështje përfundimisht e zgjidhur dhe e mbyllur.

Pas GjND Serbia ka bërë thirrje për negociata për statusin, si e "përktheni" ju këtë planë të Serbisë?

Thirrja për negociata mbi statusin nuk është ndonjë gjë e re. Ka qenë gjithnjë përparësi e politikës serbe prej vitesh, në mënyrë të veçantë pas shpalljes së pavarësisë. Fillimisht u provua në planin ligjor, duke i kërkuar mendim gjykatës ndërkombëtare të Drejtësisë. Tani që opinioni i jep katërcipërisht të drejtë Kosovës, Serbia u rikthye menjëherë e me vrull në planin politik dhe paraqiti me ngut për miratim një rezolutë me shpresën që OKB, organizata universale, “do të bëjë thirrje për të biseduar dhe zgjidhur të gjitha çështjet me mirëkuptim mes palëve : pra edhe statusin”.

Ne po kujdesemi t'u a rikujtojmë vendeve anëtare se procesi bisedimeve është ezauruar me kohë, në periudhën 2000 – 2008, nuk ka dhënë ndonjë rezultat dhe nuk ka arsye e as logjikë që ndokush ti kthehet një procesi të kotë e të pashpresë. Nuk besoj se ka njeri me mendje të shëndoshë që të besojë se autoritetet në Kosovë do të zgjohen një ditë të bukur dhe do të thonë: “Na falni për këtë punën e pavarësisë. Hajde të ulemi tani dhe të bisedojmë për statusin”. Edhe shaka duket e tepërt.

Do të ishte fëminore të mendohej se këtë nuk e dinë edhe ata që kërkojnë bisedime për statusin. Problemi i vërtetë nuk qëndron në shpresën se mund të ketë bisedime të njëmendta për këtë çështje, por në atë që unë do ta përmblidhja në shpëtimin e faqes në një proces të dështuar përfundimisht dhe në përpjekjet e pandalura për t’ia bërë jetën shtetit kosovar sa më të vështirë. Prandaj ne jemi duke ua shpjeguar të gjitha vendeve që mendojmë se duhet ta dinë se sa e pavlerë, e kotë dhe kundër-produktive është iniciativa serbe në OKB.

Zoti Ambasador , SHBA-të dhe BE-ja tani po kërkojnë nga Serbia të mos insistojë për rezolutën në OKB apo së paku jo për kërkesën për negociata rreth statusit të Kosovës. Ndërkaq, Serbia vendosi të paraqes një rezolutë, mirëpo burime të sigurta diplomatike, thonë se të njëjtën gjë do ta bëjnë Shqipëria apo Amerika. A mund të na flisni pak më gjatë rreth kësaj teme !

Në atë që thoni ju ka të vërteta dhe hamendësime. Ky është një proces shumë dinamik që është në zhvillim e sipër edhe pse jemi në muajin gusht. Nuk do të ishte normale për mua të hyja në detaje. Jeta diplomatike dhe ajo e OKB-së në veçanti është e mbushur me takime, diskutime, debate, tekste, kundër-tekste, propozime, amendime e që janë pjesë normale të procedurave. Ne i kemi të gjitha parasysh dhe jemi të përgatitur të mos i lëmë asnjë gjë rastësisë. Ajo që mund t’ju them e që ka rëndësi është se ne po bëjmë të gjitha përpjekjet që një tekst si ai i Serbisë të mos miratohet, jo sepse është i Serbisë, por sepse është kundër-produktiv dhe se në atë faqe letër nuk ka asnjë gjë pozitive që ti shërbejë as Kosovës, as serbëve të Kosovës, as rajonit e në analizë të fundit as vetë Serbisë. Madje, zëra të besueshëm janë ngritur edhe në Serbi për të rishikuar këtë qëndrim.

Së fundi a konfirmoni ju se krerët e shtetit shqiptar, presidenti Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, do të marrin pjesë së bashku në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në fillim të muajit shtator. Cili është qëllimi i këtij aksioni diplomatik nga krerët më të lartë të shtetit shqiptar ?

Kjo është një pyetje të cilës do ti përgjigjeshin më saktësisht kabinetet e personaliteteve përkatëse. Por, duke pasur parasysh aktualitetin e veçantë që lidhet me Kosovën por edhe me një numër aktivitetesh të rëndësishme që zhvillohen gjatë muajit shtator, ka shumë të ngjarë që prania e Shtetit shqiptar në OKB këtë vit të jetë e veçantë. Jam i sigurt që njoftimet përkatëse do të bëhen në kohën e duhur.

Një pyetje që ndoshta është e vështirë për t'i dhënë një përgjigje të prerë, është se, "kur mendon se Kosova do të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara, pra kur ne shqiptarët do t'a shohim edhe flamurin e Kosovës në shtizat e 192 flamujve të OKB-ës?

Procedura e pranimit të një vendi në OKB është e përcaktuar në kartën e Kombeve të Bashkuara. Nuk jemi ende në atë fazë edhe pse unë shpresoj se kjo ditë nuk do të jetë e largët. E rëndësishme dhe parësore sot është vijimësia e procesit të njohjeve në mënyrë që vëmendja, mjetet dhe burimet e shtetit kosovar të përqendrohen në forcimin e shtetit ligjor, demokracisë dhe zhvillimin e të shoqërisë në tërësi e që janë edhe një kontribut i madh në rrugën e integrimit evropian.

NOA/INA

KOMENTE