Londër, 14 Gusht, NOA – James Pettifer është një akademik, studiues dhe autor i njohur britanik, i cili ka botuar disa libra historikë dhe guida turistike për Ballkanin.
Ndër botimet e tij është edhe “Guida Blu” për Shqipërinë dhe Kosovën, ku studiuesi bën një prezantim të zgjeruar të disa zonave të rëndësishme arkeologjike dhe historike të vendit e gërshetuar kjo me eksperiencën personale të autorit në udhëtimet e tij në Shqipëri.
Shqetësimi për një prej këtyre zonave shumë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë e bëjnë autorin që t'u bashkohet zërave për të ndërgjegjësuar lidhur me rrezikun nga shkatërrimet që vijnë krah modernizimit të infrastrukturës së vendit.
Z.Pettifer, përse e keni ndalur punën për edicionin e ri të Guidës turistike për Shqipërinë?
Po është e vërtetë, është një protestë e vogël dhe shpresoj që të jetë një gjë e përkohshme.
Unë e fillova librin 20 vjet më parë, kur nuk kishte fare Blu Guide për Shqipërinë as në gjuhën frënge as në atë angleze.
Unë doja t'u përcillja njerëzve gjërat e mrekullueshme në historinë shqiptare, ndërtesat e atjeshme, monumentet.
Tre edicionet e mëparshme të kësaj guide bëjnë një punë të mirë. Për edicionin e fundit isha shumë krenar, sepse përmbante edhe një pjesë për Kosovën, që nuk ishte bërë më parë.
Ne shpresonim që të bënim një edicion komplet të ri.
Aktualisht, ekziston në treg një edicion i përpunuar, por kemi nevojë për një version të ri, sepse ai i fundit u botua 10 vjet më parë.
Panoramat e shoqërive si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë nuk janë të aktualizuara.
Unë pësova një zhgënjim. Në muajin prill të këtij viti, shkova në Shqipëri me rastin e një konference.
Pas asaj bashkë me një koleg vendosa të shkoj për të pushuar për disa ditë.
Unë nuk kisha qenë në Butrint prej një kohe të gjatë dhe doja të shihja se çfarë bëhej atje.
Butrinti, vendi arkeologjik ishte mirë, por zona përreth tij më shokoi. U tmerrova.
Unë nuk mendoj se mund t'u rekomandosh vizitorëve të huaj që ta vizitojnë zonën.
Vendet si Ksamili për shembull, që kur e pashë për herë të parë ishte kaq i bukur, tani dukej si një kantier i stërmadh ndërtimi.
Atje nuk po mbillen fidan të rinj. Në disa vende, deti është i pisët. Parku kombëtar përreth Butrintit mendoj se është i kërcënuar nga ndërtimet dhe e gjithë situata e përgjithshme po shkon tatëpjetë.
Prandaj unë e kam ndalur punën për librin tim në shenjë proteste që shpresoj se do të sjellë një rezultat.
Po disa do të thoshin se ndërtimet në zonën përreth Butrintit janë pjesë e zhvillimeve të infrastrukturës dhe zgjerimit të zonave urbane që po përjeton i gjithë vendi?
Unë nuk jam kundër zhvillimit, në mënyrë të veçantë nëse ky zhvillim do të sjellë më shumë njerëz për pushime e që do të vizitojnë vendet të bukura dhe do ta shijojnë Shqipërinë.
Ne kemi nevojë për zhvillim, por zhvillimi është si një treg.
Qeveria duhet ta kuptojë që çdo treg ka nevojë për rregullatorë, që aplikohen në SHBA, në Evropë e kudo.
Atje nuk ka rregullatorë, apo të paktën nuk shoh që të ketë.
Dhe nëse ka, askush nuk po nxit respektimin e tyre.
Në mënyrë të veçantë, përsa i takon çështjeve të mjedisit, si mbjellje fidanësh, furnizim me ujë, kanalizimi të ujërave të ndotur etj.
Duket si dritëshkurtësi nga ana e autoriteteve, sepse turistët nuk do të vijnë, derisa këto gjëra të rregullohen.
Përkundrazi, qeveria thotë se gjithnjë e më shumë turistë po e vizitojnë vendin, sidomos Jugun e Shqipërisë
Unë mendoj se po shkojnë shumë njerëz dhe kjo është gjë e mirë, por për një ditë duke kaluar nga Korfuzi, por kjo gjithmonë është bërë prej vitesh.
Turistët e huaj shpesh nuk qëndrojnë, ndonjëherë qëndrojnë, por për një kohë shumë të shkurtër.
Ata nuk shpenzojnë shumë para dhe nuk u sjellin fitime vendasve, përveç atyre që i sjellin me barka apo që u sigurojnë ushqimin.
Ne duam që njerëzit të qëndrojnë për ca kohë dhe të mësojnë më shumë për vendin dhe të kalojnë pushime të mira.
Ata kanë nevojë për akomodim dhe ambjent të pastër dhe ky është problemi për momentin.
Në një artikull tuajin jo thoni se duket sikur njerëzit që punojnë në këtë projekte zhvillimi në jug të vendit, nuk janë shqiptarë. A i qëndroni kësaj deklarate?
Unë mendoj se ka probleme. Nuk ka shumë probleme me investimet italiane.
Gjërat që kam parë në Vlorë, për shembull, kanë qenë të mira.
Isha në një hotel të vjetër që ka qenë një vend i keq, tani ishte kthyer në një ndërtesë shumë të bukur.
Ishte restauruar aq bukur sa mund të mendoje se ishe në Romë apo Venecie.
Unë nuk dua të tingëllojë politik, por mendoj se ka një problem me influencën greke.
Atje (në jug) janë hedhur para greke dhe interesat janë kryesisht afatshkurtra dhe nuk mendoj se janë të interesuar për të mirat e përgjithshme të asaj pjese të Shqipërisë.
Monumentet e mëdha arkeologjike si në Apoloni, Butrint etj kanë filluar të kthehen në ishuj.
Për monumentet vetë ka përkujdesje shumë të mirë, ata po bëhen punë interesante arkeologjike dhe gjithmonë ka zhvillime pozitive në përgjithësi, por mjedisi përreth tyre po përkeqësohet shpejt dhe kjo po ndodh pa qenë nevoja.
Atje pashë se po ndërtohej një rrugë e madhe nga Konispoli që kalon përmes një zonë shumë të bukur e të virgjër.
Ndoshta ka nevojë për rrugë, unë e kuptoj këtë, por nuk ke nevojë për shkatërrim të të gjithë zonës, nga një rrugë që i përngjan një autostrade të tipit perëndimor.
Ju keni thënë se ajo që po ndodh me Shqipërinë është e ngjashme me atë që ka ndodhur me disa pjesë të Spanjës në vitet 60, 70. Dikush mund të thotë se nëse funksionoi për Spanjën, mund të funksionojë edhe për Shqipërinë?
Në Shqipëri nuk është kudo njësoj.
Ka edhe vende të tjera që po bëjnë përparime të mira. Në disa raste janë vende të vogla që e filluan shumë keq.
Për shembull Shëngjini 20 vjet më pak ishte një vend i tmerrshëm.
Njerëzit ishin shumë të varfër, bagëtitë kullotnin në rrugë, ishte shumë pis, kishte ndotje të madhe.
Plazhet ishin të mbuluara me plehra e makina të vjetra. Unë isha në Shëngjin kohët e fundit dhe qëndrova atje për disa netë dhe më pëlqeu shumë.
Atje ka restorante të mira, hotele të arsyeshme. Ka nevojë për më shumë për të pastruar mjedisin, por besoj se është bërë shumë punë.
Pra është e mundur që të bëhen gjëra të mira dhe nuk është nevoja të bëhet si me Ksamilin.
Durrësi po përmirësohet, po jo me shpejtësinë e duhur.
Disa pjesë të plazhit po pastrohen, po shkatërrohen disa ndërtime pa leje, pra po krijohet një lloj plani për të ardhmen.
Pra këtu nuk shtrohet çështja për të ndalur ndërtimet, por për të ndërtuar mirë, me qëllim që ato të sjellin vizitorët e duhur, kjo gjë do të sjellë më shumë para në vend dhe për rrjedhojë do të ketë më shumë vende pune.
Sa ka të bëjë ajo që po ndodh me zhvillimin në Shqipëri me mentalitetin vendas, apo është thjesht menaxhim i keq që prej fillimit?
Unë mendoj se për arsye se shumë njerëz që janë në drejtimin e vendit u rritën në një shoqëri që ishte shumë diktatoriale dhe me shumë rregulla, ata kuptohet që nuk duan ta kenë tani këtë, dhe kanë shkuar shumë në ekstremin tjetër dhe janë kundër rregullave, veçanërisht ato të planifikimit.
Ata i bëjnë keq vetes, sepse ka ndodhur me Spanjën, njerëzit filluan të mos shkonin atje.
Nëse njerëzit nuk duan të shkojnë me pushime në kantiere ndërtimi, ata nuk do të shkojnë.
Qeveri në të kaluarën dhe në të tashmen e kanë thënë se Turizmi do të jetë industria kryesore e vendit. A mendoni se Shqipëria është duke ia qëlluar këtij synimi në një periudhë afatgjatë?
Unë mendoj se duhet të ketë një plan dhe ky plan duhet të theksoj gjërat më të mira, si vendet më të bukura arkeologjike, malet e mrekullueshme.
Ato që po bëhen në Theth, për shembull, janë shumë të mira.
Thethi është ruajtur me ato traditat e veta, paratë janë investuar siç duhet. Njerëzit mund të shkojnë edhe ta vizitojnë. Rrugët janë më të mira.
Jo gjithçka është perfekte atje, por është një mënyrë për të treguar se si të shkosh në drejtimin e duhur dhe në mënyrë të veçantë se si të mos humbasësh traditat sociale shqiptare dhe kjo është shumë e rëndësishme.
Ajo që më shqetëson për zonën në Jug është një atmosferë boshe.
Nuk ka respekt për të shkuarën, nuk ka respekt për traditën apo mënyrën shqiptare të jetesës, është një garë për të fituar para sa më shpejt që siç e thashë do të jetë për të keq. Kjo nuk do të funksionojë.
Përveç faktit që nuk ka moral, pas ca kohe nuk do të funksionojë më.
BBC