English

Lëvizja “Zgjohu!”: Shtetësi shqiptare për të gjithë shqiptarët jashtë kufijve

Shkup, 14 gusht, NOA - Lëvizja Qytetare Zgjohu! duke përshëndetur debatin e rifilluar rreth mundësimit të marrjes së shtetësisë shqiptare për shqiptarët jashtë Shqipërisë, konsideron që përkujdesja institucionale e Tiranës zyrtare për shqiptarët jashtë kufijve administrativ të Shqipërisë duhet të formalizohet.

Sipas drejtuesve të saj, ky hap mundëson lehtësimin e komunikimit ndërshqiptar në Ballkanin veriperëndimor dhe diasporë. Kjo ide u nxit nga përfundimet e takimit të Rrjetit të Organizatave Shqiptare i cili u mbajt në gusht të vitit të kaluar në Shkup si dhe kërkesës së shumë intelektualëve shqiptar.

“Shtetësia është e drejtë kushtetuese, por edhe marrëdhënie juridike dhe politike e qytetarit me shtetin, që rregullon marrëdhëniet ndërmjet qytetarit dhe shtetit. Lëvizja Zgjohu! ka pranuar kërkesa të panumërta nga shqiptarët e Maqedonisë që të ngrejnë zërin rreth vështirësive të tyre për t'u pajisur me shtetësi të Maqedonisë”, thuhet në deklaratën e “Zgjohu!”.

“Duke ndjekur politikën e Maqedonisë apo Bullgarisë, vështirësitë për t'u pajisur me shtetësi të Maqedonisë dhe dëshirën e madhe për t'u pajisur me shtetësi shqiptare, Kuvendi, qeveria dhe presidenti i Shqipërisë duhet të nisin ndryshimet dhe plotësimet e ligjit për shtetësi ditë më parë. Pa asnjë hezitim, deputet shqiptar duhet të mundësojnë pajisjen me shtetësi shqiptare të të gjithë shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë duke i kombinuar zgjidhjet e përfshira në legjislacionin e Maqedonisë dhe Bulgarisë”, thekson Lëvizja Zgjohu!.

Sipas saj, ngjashëm si në rastin e Maqedonisë, pas ndryshimit të Ligjit për Shtetësi, Kuvendi shqiptar duhet të ndryshojë edhe kodin zgjedhor duke mundësuar votimin e shqiptarëve jashtë Shqipërisë (të cilët do të pajisën me shtetësi shqiptare) në zgjedhjet e përgjithshme të Shqipërisë duke mundësuar zgjedhjen proporcionale të deputetëve shqiptar nga Maqedonia,

Kosova, Mali i Zi, lugina e Preshevës, Çamëria dhe Diaspora të cilët do t'i përfaqësonin interesat e pjesës së popullit shqiptar që jeton në këto shtete. Pasi që këto qytetarë dhe deputet nuk janë taksapagues dhe kontribuues në buxhetin e Shqipërisë, mandati i tyre duhet të definohet përputhshmërisht.

“Për të lehtësuar komunikimin ndërshqiptar dhe për përkujdesjen më aktive institucionale për shqiptarët jashtë saj, Qeveria e Shqipërisë duhet të themelojë Ministrinë e Diasporës siç është rasti i Bulgarisë dhe shumë vendeve tjera në rajon”, apelon Zgjohu!.

n.e/NOA

KOMENTE