English

LSI: Incidenti kriminal në Himarë, një akt i rëndë dhe i dënueshëm

Tiranë, 14 Gusht, NOA – “Incidenti kriminal në Himarë gjatë të cilit humbi jetën Aristotel Gumi është padyshim një akt i rëndë dhe i dënueshëm”.

Kështu është shprehur në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Sekretari i saj i Përgjithshëm, Luan Rama, sipas të cilit, “i vetmi koment që mund të bëhet për këtë ngjarje, është dënimi me indinjatë dhe me solidaritet të fortë i këtij akti kriminal nga njëra anë dhe nga ana tjetër, dhënia e ndihmës maksimale për organet e ligjit për forcat e rendit dhe për të gjithë ata që janë të përfshirë në zbardhjen e së vërtetës”.

Ndërsa në lidhje me letrën që Departamenti i Shtetit i ka dërguar Metës, Rama tha se “marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe SHBA-ve kanë në themel dhe në bazë të tyre jo vetëm vlerat fondamentale të demokracisë, por dhe kontributet e përbashkëta me interes strategjik”.

“Shqipëria e orientuar qartë dhe në mënyrë korrekte e ka konsideruar dhe e konsideron më të drejtë SHBA partner strategjik e lidhur ngushtë kjo me angazhimet euroatlantike të Shqipërisë dhe pikërisht për këtë shkak të rolit shumë korrekt dhe serioz që Shqipëria luan në rajon dhe më gjerë në kuadër të paqes dhe sigurisë globale ka merituar të jetë partner preferencial të SHBA në këtë pjesë të botës nga njëra anë”, tha ai.

Duke shtuar se praktika e shkëmbimit të letrave midis ministrit të Jashtëm dhe ambasadorëve të huaj të akredituar në Shqipëri është një praktikë rutinë e burokracisë diplomatike midis të cilës shprehen opinione apo shprehen konsiderata apo qëndrime të ndryshme dhe që kanë të bëjnë me gjithçka që ka të bëjë me qeverinë dhe me vendin që përfaqëson ambasadori i akredituar në Shqipëri.

“Meta shprehu qartë se nuk ka ndonjë letër ankese të tij drejtuar as sekretares së shtetit dhe as ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, lidhur me ambasadorin e SHBA-ve në Shqipëri. Nga ana tjetër, unë konfirmoj që marrëdhëniet e Metës me Uithersin dhe me ambasadorin e SHBA-ve në Shqipëri, kanë qenë gjatë gjithës kohës që ai ka ushtruar detyrën e përfaqësuesit të qeverisë amerikane në Shqipëri, të shkëlqyera”, shtoi më tej Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama.

n.e/NOA

KOMENTE