English

Ministria e Brendshme: PS po e përdor politikisht ngjarjen kriminale të Himarës

Tiranë, 14 Gusht, NOA – Ministria e Brendshme përmes një deklarate për shtyp, i ka cilësuar si të qëllimshme “përpjekjet e Partisë Socialiste për të përdorur politikisht ngjarjen kriminale të ndodhur para dy ditësh në Himarë”.

“Edhe për këtë ngjarje, lidershipi i Partisë Socialiste nuk vonoi të vërtetojë para opinionit publik se në krye të axhendës së tij politike qëndrojnë interesa që bien ndesh me interesat e qytetarëve dhe godasin drejtpërdrejt imazhin e vendit”, thuhet në këtë deklaratë të dikasterit të rendit publik.

Duke shtuar më tej se “Ministria e Brendshme i bën thirrje Partisë Socialiste të distancohet nga frymëzimi i qëndrimeve antirend dhe antiligj dhe të shprehë mbështetjen e nevojshme për punën dhe angazhimin profesional dhe ligjor të Policisë së Shtetit”.

“Ministria e Brendshme vlerëson të gjithë angazhimin dhe përkushtimin e treguar nga Policia e Shtetit për zbardhjen e shpejtë të ngjarjes kriminale që ndodhi para dy ditësh në Himarë dhe i jep mbështetjen e plotë për të vënë para drejtësisë të gjithë autorët e përfshirë në këtë ngjarje”, thuhet më tej në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Himarë, ku gjeti vdekjen 35-vjeçari Aristotel Guma.

n.e/NOA

KOMENTE