SHBA, 14 gusht, NOA Presidenti amerikan Barack Obama ka mbrojtur ndërtimin e kontestuar të një xhamie në afërsi me "ground zero" në Nju Jork.
Myslimanët ashtu si të gjithë njerëzit në SHBA gëzojnë të drejtën të ushtrojnë besimin e tyre, tha Obama në një darkë ndërprerjeje agjërimi në Shtëpinë e Bardhë me rastin e muajit të Ramazanit.
Jo larg vendit ku më parë ngriheshin kullat e Qendrës Botërore të Tregtisë, do të ngrihet një qendër e komunitetit mysliman me dhomë për lutje. Kundërshtarë të projektit argumentojnë se kjo cënon kujtimin për viktimat e 11 shtatorit 2001, kur terroristët islamistë rrëmbyen dy avionë dhe i përplasën ato kundër kullave të World Trade Center. Autoritetet në Nju Jork pak kohë më parë e kishin miratuar ndërtimin e qendrës pasi e shohin si një kontribut për një mirëkuptim më të madh mes Perëndimit dhe botës myslimane.
NOA/DV