English

PDR: Kultura shqiptare, e diskriminuar në librat e shkollës

Shkup, 14 gusht, NOA – “Vazhdojnë skandalet në Ministrinë për Arsim dhe Shkencë, ku së fundmi, ministria e Arsimit botoi libër të lëndës së shoqërisë për klasën e pestë me gabime të shumta, si në aspektin përmbajtësor, ashtu edhe në atë teknik”.

Kështu është shprehur në një deklaratë për shtyp, Gjylymsere Kasapi sekretare e DR-së për Arsim dhe Shkencë.

Sipas saj, në përmbajtjen e këtij libri, në faqet ku flitet për kulturën e shtetit nuk përmenden emra artistësh, shkrimtarësh, piktorësh, por përmenden emra të udhëheqësve dhe shou-menëve televiziv.

“Ajo që bie në sy edhe një herë, vazhdon diskriminimi i kulturës shqiptare, duke mos përmendur asnjë artist, shkrimtar apo piktor shqiptar, edhe pse nga ky libër duhet të mësojnë edhe nxënësit shqiptarë”, vuri në dukje ajo.

Duke shtuar se nga ana tjetër, ministria e Arsimit vazhdon politikën shpërfillëse ndaj shqiptarëve, duke dëshmuar implikimet politike anakrone dhe retrograde në arsim.

“Kjo ministri edhe më tej nuk mund të ballafaqohet me realitetin e ri në Ballkan, atë se republika e Kosovës është shtet i pavarur, shtet fqinj i Republikës së Maqedonisë. Ironia shkon aq larg sa që gabimisht publikohet edhe flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës”, bëri me dije me tej përfaqësuesja e PDR-së.

n.e/NOA

KOMENTE