English

PS akuzon: Meta i dërgoi Departamentit të Shtetit letrën e firmosur nga Berisha

Tiranë, 14 Gusht, NOA – “Ilir Meta në shërbimin e tij të radhës, ka firmosur dhe dërguar pranë Departamentit Amerikan të Shtetit tekstin e shkruar nga Sali Berisha, që si fryt i mediokritetit e politik të këtij pushteti të korruptuar, kanë menduar një komplot e puç diplomatik qesharak, me synim për të hequr qafe ambasadorin e një vendi mik që për Sali Berishën dhe Ilir Metën përbënte vetëm pengesën e radhës”.

Me një deklaratë të tillë, nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Saimir Tahiri, ka akuzuar kryediplomatin Meta për letrën e DASH-it.

“Përmes medias, dje u bë publike letra e Departamentit Amerikan të Shtetit për qeverinë shqiptare, letër që u mohua nga ministri i Jashtëm Meta, por që rezulton tërësisht e vërtetë si përgjigje që DASH i jep ankesave të qeverisë shqiptare për përfaqësuesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri”, tha ai.

Duke shtuar se “sot po del në dritë gjithmonë e më shumë jo vetëm abuzimi i pushtetit me të drejtat e njeriut, me financat publike, çmontimi i demokracisë dhe shtetit ligjor, përdhosja e parlamentarizmit dhe kushtetutës, kriza permanente që ky pushtet ka injektuar në sistemin gjyqësor dhe institucionet e pavarura kushtetuese, shërbimi sekret përfshirë, me synim vënin në kontroll të diktatit e kontrollit politik nga duart e gjata të pushtetit”.

“Po evidentohet qartë prirja e Sali Berishës për të izoluar Shqipërinë e shqiptarët duke futur në krizë marrëdhëniet me partnerët tanë ndërkombëtarë, SHBA, NATO dhe BE, për të krijuar në këtë vend ferrin e shqiptarëve dhe parajsën korruptive të pushtetarëve të korruptuar”, vijoi më tej akuza e mbërritur nga seli rozë.

Duke përfunduar se “Partia Socialiste i kërkon Sali Berishës dhe Ilir Metës të bëjnë menjëherë transparente dhe publike letrën që i kanë dërguar Departamentit Amerikan të Shtetit. Shqiptarët kanë të drejtë të dinë çfarë është shkruar në fletërrufenë që kanë dërguar në emër të popullit këta dy përfaqësues të interesave të errëta private e jo të shqiptarëve.

“Partia Socialiste i kërkon Presidentit të Republikës, ai që dekreton ambasadorët e Shqipërisë jashtë dhe që pranon kredencialet e ambasadorëve të shteteve të huaja, të ndërhyjë menjëherë për të bërë transparencë mbi letrën e dërguar nga kryeministri dhe ministri i Jashtëm, të kërkojë publikimin e saj, të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm me qëllim shmangien e çdo situate të papëlqyeshme me partnerët tanë ndërkombëtarë”, përfundon deklarata e selisë rozë.

n.e/NOA

KOMENTE