English

Qeveria maqedonase, përgjegjëse për mosrealizimin e Marrëveshjes së Ohrit?!

Shkup, 14 Gusht, NOA – Analistët politikë në Maqedoni vlerësojnë se Marrëveshjes së Ohrit po i bëhen obstruksione nga ana e vetë qeverisë.

Profesori universitar, Lubomir Fërçkovski, ish-kandidati për president nga opozita maqedonase vlerëson se implementimi i marrëveshjes së Ohrit po frenohet nga vetë qeveria.

“Ka një retorikë rreth kësaj marrëveshje dhe nuk thotë askush se është kundër saj. Por, ajo në praktikë po frenohet dhe nuk po respektohet një nga principet bazë të kësaj marrëveshje, e ajo është fryma e saj”, theksoi Fërçkovski, një nga bashkë-hartuesit e këtij dokumenti të paqes të arritur në Ohër në vitin 2001.

Naser Zyberi, një nga hartuesit e kësaj marrëveshje nga radhët e PPD-së thekson se është anashkaluar totalisht dinamika e zbatimit të plotë të kësaj marrëveshje.

"Ende ka shumë punë që nuk janë kryer nëntë vite nga arritja e marrëveshjes. Gjithë ato pika të parealizuara nuk e realizojnë frymën e funksionimit të saj”, ka theksuar Zyberi.

Analistët politik përmendin mos zbatimin e ligjit të gjuhës shqipe, simboleve kombëtare, zgjidhjen e statusit të UÇK-së dhe të problemeve të tjera që duhet të kenë zgjidhje në frymën e Marrëveshjes së paqes.

NOA-INA

KOMENTE