English

Reagon kryeministri: Vrasja e Himarës, akt i shëmtuar i fanatizmit të verbër ekstrem

Tiranë, 14 gusht, NOA Update - Ngjarja e dy ditëve më parë ku një i ri 35-vjeçar humbi jetën në Himarë, konsiderohet si një akt i shëmtuar dhe i dënueshëm, pasi vetë vrasja e një njeriu me qëllim është një krim i shëmtuar dhe që duhet dënuar nga të gjithë.

Kështu e ka cilësuar atë kryeministri Berisha, gjatë një prononcimi për mediat, duke shtuar se “qeveria ka kërkuar dhe kërkon nga organet e rendit që të bëjnë çdo përpjekje për të vendosur autorin kryesor të këtij krimi para drejtësisë”.

"Motivet, në rast se faktohen ato që thuhen janë edhe më të shëmtuara. E theksoj edhe një herë, në rast se faktohen motivet që njoftojnë mediat, por edhe njerëz të tjerë kjo e bën këtë krim edhe më mizor. Është një gjest i një fanatizmi të verbër ekstrem”, tha në fjalën e tij kryeministri.

Duke shtuar se “nuk beson të këtë shqiptarë, që nuk e dinë se komuniteti në atë qytet është bilingual dhe jo sot, edhe 100 vjet më parë, por edhe 200 vjet më parë. Të përgjigjesh në gjuhën që preferon, të përgjigjesh dhe të ndodh kjo, është shumë e rëndë”.

“Sidoqoftë, këto do t’i hetojë dhe saktësojë drejtësia. Organet e rendit duhet që autorin ta vendosin para ligjit. Unë shfrytëzoj edhe këtë rast, pasi jam lidhur edhe me kryetarin e Bashkisë dhe i kam përcjellë familjes ngushëllimet, ti shpreh sërish familjes ngushëllimet, sepse është një akt i shëmtuar të vrasësh dikë duke u kthyer në shtëpinë e vet. Është një akt barbar", tha mes të tjerash kreu i qeverisë.

n.e/NOA
KOMENTE