Prishtinë, 15 gusht, NOA - Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i ka bërë thirrje qeverisë të publikojë kontratën për dhënien me koncesion të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.
Këtë kërkesë e ka bërë në një konferencë për shtyp njëri prej anëtarëve të kryesisë së kësaj partie opozitare, Avni Arifi, i cili nxorri në pah se kontrata e qeverisë me konsorciumin “Limak-Lyon” është bërë në mënyrë sekrete.
Arifi tha se është pikërisht mënyra se si është sqaruar përmbajtja e kësaj kontrate, që të krijon përshtypjen se investitori i jashtëm nuk është investitor por donator, natyrisht një gjë e tillë nuk është e vërtetë, pasi ai është investitor, theksoi anëtari i AAk-së.
AAK i kërkoi sakaq qeverisë së Kosovës, që të anullojë tenderin për privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës dhe të respektojë procedurën e rishqyrtimit të Strategjisë për Privatizimin e PTK-së në Kuvendin e Kosovës.
mit/NOA