Prilep (Maqedoni), 15 gusht, NOA - Ministria e Brendshme e Maqedonisë ka zbuluar se një prej efektivave të saj kultivonte lëndë narkotike “cannabis sativa” në tokën e tij në një fshat afër Prilepit.
Polici, 36 vjeçar me inicialet G.N kishte mbjellë mbi 300 rrënjë të lëndës narkotike marihuanë. Sipas MPB-së, pjesëtari i policisë në bashkëpunim me kushëririn e tij po kultivonin drogën, e cila më pas do të shitej.
Ndaj dy të ndaluarve janë ngritur kallëzime penale për “prodhim të paligjshëm dhe lëshim në qarkullim të lëndëve narkotike”, si dhe është dhënë masa e paraburgimit, 30 ditë.
Gjatë muajve të fundit në disa raste janë zbuluar kultivues të lëndës narkotike “canabis sativa” në Maqedoninë Lindore.
NOA/INA