Pakistan, 15 gusht, NOA - Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun, sot ka mbërritur në Pakistan për shqyrtimin e përpjekjeve për dërgimin e ndihmave në ushqim dhe për strehim për miliona njerëz, që kanë mbetur pa kulm mbi kokë nga vërshimet.
Ai tha se ka ardhur që popullit të Pakistanit t'i thotë se komuniteti ndërkombëtar i mbështet ata.
Kryeministri i Pakistanit, Jusuf Raza Gilani, tha se autoritetet tash vlerësojnë se afro 20 milionë njerëz janë prekur nga vërshimet, që mendohet se janë kriza më e madhe humanitare në historinë e Pakistanit.
Pakistani dje e ka anuluar festimin e shënimit të përvjetorit të pavarësisë nga Britania, në vitin 1947, në shenjë të respektit për viktimat e katastrofës.
Zyrtarët e OKB-së kanë konfirmuar së paku një rast të sëmundjes kolera, në rajonin Swat Valley, ndërsa thuhet se mund të paraqiten edhe raste të tjera të sëmundjes në rajonet e goditura rëndë nga vërshimet.
Nëse nuk trajtohet menjëherë, Kolera mund të shkaktoj vdekjen.
NOA