English

Berisha: Vlora, qendër e rëndësishme ekonomike në rajon

Vlorë, 15 gusht, NOA – Projektet ekonomike dhe investimet e shuma do ta kthejnë shumë shpejt Vlorën në një nga qendrat më të rëndësishme të turizmit dhe ekonomisë në vend dhe në rajon.

Ky është vlerësimi që ka bërë dje kryeministri Berisha gjatë një takimi të zhvilluar në Llogora me biznesmenë të Vlorës. Në takimin e organizuar nga Unioni i Dhomave të Tregtisë dhe Dhoma e Tregtisë së Vlorës, Berisha dhe investuesit vendas kanë diskutuar për ecurinë ekonomike të vendit, politikat fiskale, reformat e ndërmarra dhe krijimin e një klime të favorshme për biznesin, si dhe zhvillimin e potencialeve të mëdha të vendit.

"Vlora, me punën dhe investimet tuaja, me politikat e drejta, koncesionet e mëdha për portin dhe në fushën e energjisë, potencialin e jashtëzakonshëm turistik do të shndërrohet në një nga epiqendrat e fuqishme të vendit dhe të rajonit, në zhvillimin e saj tërësor, turistik, industrial e të gjithanshëm", tha Berisha.

Berisha falënderoi biznesmenët e Vlorës për kontributin që ata me punë e tyre japin jo vetëm për zhvillimin e Vlorës, por të vendit në tërësi.

“Falë punës suaj dhe politikave të drejta ekonomike, që të shënoje ritme të mëdha zhvillimi në kohën më të vështirë për ekonominë europiane dhe botërore, e mbështetur kjo edhe nga studimet dhe raportet e analistëve ndërkombëtarë për ekonominë”, tha ai.

Berisha theksoi se nëpërmjet investimeve të mëdha, qeveria është përpjekur të lehtësojë klimën dhe kushtet e biznesit. Ai garantoi se qeveria do të kompletojë me përparësi infrastrukturën rrugore të vendit dhe gjatë tre viteve të ardhshme do të jenë hapur të gjitha arteriet e mëdha rrugore të vendit.

Disa përfaqësues të disa kompanive dhe firmave të biznesit i paraqitën Kryeministrit disa nga projektet më të mëdha të zhvillimit për këtë zonë në fushën e turizmit, industriale, të agrobiznesit dhe akuakulturës si projekti për ndërtimin e parkut industrial, nismë e një grupi biznesmenësh të Vlorës; ndërtimi i hidrocentralit të SASAJ-t në Lukovë, me fuqi të instaluar prej 8.6. megavat, për të cilën përfaqësuesi i kompanisë informoi se është në fazën përfundimtare; projekti për ndërtimin e një rezorti turistik në Llogora në një sipërfaqe prej 270 hektarë.

NOA

KOMENTE