English

Buxhuku: Qeveria e humbi shansin për amnistinë fiskale

Tiranë, 15 gusht, NOA – Deklaratat e qeverisë për të aplikuar amnistinë fiskale duket të ishin kthyer në vendim konkretë gjatë ardhjes së fluksit më të madh të emigrantëve. Për Administratorin e Përgjithshëm të Konfindustria, Gjergj Buxhuku, qeveria e ka humbur rastin për të marrë këtë vendim dhe për t’i dhënë një impakt më të madh ekonomisë së vendit.

“Qeveria shqiptare me vonesat e saj të paarsyetuara në kryerjen e faljes fiskale ka humbur hapësirën kohore më të përshtatshme të vitit të zbatimit të procesit në fjalë, që përkon me kthimin e emigrantëve për pushimet e verës në atdhe”, tha Buxhuku.

Në një konferencë për mediat Buxhuku argumentoi se do të ishte me ndikim të ndjeshëm pozitiv në ekonominë kombëtare hyrja e flukseve financiare nga jashtë në kushtet kur kërkesa për likuiditet nga biznesi është tejet e madhe dhe pasojat e krizës botërore janë të prekshme.

“Do të ishte e rëndësishme kryerja e faljes fiskale dhe rritja e të hyrave financiare në ekonominë shqiptare pas shkurtimeve të thella qeveritare në buxhetin e ndryshuar në korrikun e vitit 2010”, tha Buxhuku.

Duke u ndalur në procesin e faljes fiskale, Buxhuku është shprehur se ky proces duhet tu drejtohej, mbi të gjitha, qytetarëve shqiptare dhe kryesisht atyre, që jetojnë jashtë vendit.

“Kthimi i tyre i përvitshëm me rastin e pushimeve të verës duhet të shoqërohej me një strategji të qartë ligjore dhe teknike të përgatitur me kohë nga ana e ekzekutivit, me qëllim që të bëhej e mundur ndërgjegjësimi, sqarimi dhe zbatimi në praktike i faljes fiskale për qytetarët”, u shpreh Buxhuku.

Administrator i Përgjithshëm i Konfindustria Gjergj Buxhuku ka bërë dhe krahasime me vendet e tjera të rajonit, të cilat kanë marrë një sërë masash për të thithur investime nga vendet e tjera.

Ai ka përmendur nismën e fundit të qeverisë së Malit të Zi për shitjen e nënshtetësisë për qytetarët e huaj, që investojnë 500 mijë euro. Gjithashtu, vendimin e Greqisë për fillimin e zbatimit me shpejtësi të amnistisë për hyrjet në sistemin bankar të depozitave nga vendet e treta, faljen e përsëritur e të njëpasnjëshme fiskale të Qeverisë së Italisë, si dhe një sërë masash të tjera.

Nisur nga këto veprime të vendeve fqinje, Buxhuku u shpreh se është e papranueshme që nga ana e Qeverisë Shqiptare nuk është bërë asnjë hap i tillë.

“Është krejtësisht e papranueshme, që në një hapësirë kohore 20 vjeçare të ndryshimeve kaq të thella ekonomike, fiskale dhe institucionale, Shqipëria të mbetet i vetmi vend në Evropë përfshi edhe vendet e BE, që nuk ka kryer asnjë falje fiskale të vërtetë”, shpreh ai

NOA.
KOMENTE