English

Imeraj: Berisha të publikojë letrën me ankesa për SHBA

Tiranë, 15 gusht, NOA – Partia Socialiste ka kërkuar sot nga kryeministri Sali Berisha që të publikojë letrën sekrete të dërguar në Departamentin Amerikan të Shtetit. Në një deklaratë për mediat zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj është shprehur se qytetarët shqiptarë me anë të kësaj letre do të kuptojnë se cilat janë ankesat që janë hedhur poshtë nga Uashingtoni.

“Ne i kërkojmë Berishës të zbardhë përmbajtjen e letrës ankesë të dërguar në departamentin e shtetit. Çfarë shkruhej në atë letër? Cilat ishin akuzat që ajo përmbante? Përse fshihet kjo letër dhe mbahet sekret nga sytë e publikut? Cilat ishin akuzat e Ilir Metës dhe Sali Berishës të hedhura poshtë nga departamenti amerikan i shtetit?”, u shpreh Imeraj.

Imeraj u shpreh se pas njohjes me letrën e dërguar nga DASH, “që i tërhiqte vëmendjen qeverisë shqiptare për krizën politike dhe ndërhyrjen e ekzekutivit mbi pavarësinë e institucioneve të ndryshme, si gjykata dhe ShISH” është bërë publike dhe “një tjetër letër sekrete të nisur nga Ministri i Jashtëm Ilir Meta, ekzistenca e të cilës mohohet nga përfaqësuesit e qeverisë”.

Imeraj u shpreh se vetëm transparenca mbi këtë letër do të tregonte të vërtetën.

NOA

KOMENTE