Lezhë, 15 gusht, NOA – Policia e Lezhës ka vënë në pranga sot paradite në orën 10.30, 43 vjeçarin Sander Lukaj dhe 29 vjeçarin Eduart Ndrekaj, të dy banues në fshatin Stajkë të komunës së Bushatit në qytetin e Shkodrës.
Arrestimi i dy shtetasve u bë pasi sot rreth orëve të para të mëngjesit ata kanë kundërshtuar kontrollin e policisë.
Sipas policisë kundërshtimi ka ndodhur në qytetin Shëngjin, kur patrulla e policisë rrugore në bashkëpunim me Task – Forcën, ishte duke ushtruar kontroll ndaj drejtuesve të mjeteve për përdorim të pijeve alkolike.
Dy të arrestuarit, kanë kundërshtuar punonjësit e policisë së qarkullimit rrugor dhe punonjësit e policisë së rendit, gjatë ushtrimit të detyrës nga ana e tyre.
Pas këtij kundërshtimi oficerët e policisë, kanë lëshuar urdhërarrestet ndaj Sandër Lukaj dhe Eduart Ndrekaj, për veprën penale të kundërshtimit të punonjësit të policisë së rendit publik.
Materialet për dy të arrestuarit i kaluan për ndjekje të mëtejshme prokurorisë së Lezhës.
mit/NOA