English

MB: PS dezinformon publikun, lidershipi i PS-së, po bllokon ndryshimet e kodit rrugor

Tiranë, 15 gusht, NOA – Pas kritikave të forta nga selia rozë, mbi sigurinë rrugore, duke deklaruar aksidentet në rrugët shqiptare janë një bilanc lufte e duke i bërë thirrje ministrit Basha për të mbikëqyrur vetë në terren masat, Ministria e Brendshme reagoi duke bërë panoramën e vërtetë të situatës së qarkullimit rrugor dhe duke denoncuar PS-në, si dezinformuese të opinionit publik.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja theksoi se “Partia Socialiste dezinformoi sot opinionin publik për situatën e qarkullimit rrugor, aksidentet dhe masat e marra për këtë çështje nga Policia e Shtetit”.

Sipas një pasqyre të dhënash zyrtare, në territorin e Shqipërisë, korrikun e këtij viti kanë qarkulluar 130 mijë automjete më shumë se korrikun e vitit të kaluar.

Zëdhënësi Konja nënvizoi se megjithë fluksin e shtuar të automjeteve është evidentuar një rënie e ndjeshme e numrit të aksidenteve, një rënie që sipas ministrisë ka ardhur si rezultat i masave të marra nga Policia e Shtetit nëpërmjet riorganizimit dhe modernizimit të strukturës së Policisë Rrugore.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme tha ndërkaq se është problem mbetet lidershipi i Partisë Socialiste, i cili me bllokimin e akseve rrugore kombëtare ka sjellë kaos të trafikut në kryeqytet, pikërisht në prag të sezonit turistik, dhe mbetet rishtas një problem pasi po bllokon me vetëdije ndryshimet në Kodin Rrugor që duhet të miratohen në Parlament.

“Duke shprehur keqardhjen për gënjeshtrën e radhës të së dielës, i bëjmë thirrje Partisë Socialiste të heqë dorë nga sulmet ndaj punës profesionale dhe me përkushtim të Policisë së Shtetit dhe nga bllokimi i ndryshimeve në Kodin Rrugor”, përfundoi këtë reagim për mediat, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme.

mit/NOA
KOMENTE