Venezia, 15 gusht, NOA ROMA – Filmi më i ri i regjisorit polak Jerzy Scolimowski, “Essential Killing” me protagonistë Vincent Gallo dhe Emmanuelle Seigner do të konkurojë në të 67-in edicion të festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venezia.
Filmi sipas kritikëve të kinemasë evropiane shënjon rikthimin në vëmendje të artit të kinematografisë, të një regjisori të madh nga Evropa Lindore, filmi i të cilit do të shfaqet pikërisht në 11 shtator.
Filmi “Essential Killing” është një film triller, befasues, gati gati pa dialogje në tërë gjatësinë e tij, duke konfirmuar formën e re artistike të të ashtuquajturit “enfant terrible” të kinemasë së re të Evropës Lindore, që është polaku Jerzy Skolimowski.
Fabula e filmit tregon për një taleban, të kapur nga forcat amerikane në një fushë në veri të Afganistanit, i cili transportohet pa emër në një vend të Europës.
I burgosuri, arratiset dhe gjen të fshihet mes pyjeve të ngrirë nga dëbora në Veri të Evropës, një botë tërësisht ndryshe nga ajo që njihte ai, ajo e shkretëtirave.
Protagonisti vret këdo që i del përpara në rrugën e tij.
Për regjisorin Skolimowski, ky film është një rikthim në festivalin e Venezias, ku ai ka marrë pjesë shumë herë me krijime të tjera.
Skolimowski ka prezantuar me sukses filma të tillë si “Vajza e banjos publike” në 1985-ën, “The Lightship”, apo “Para se të bjerë nata” në të 57-in edicion të këtij festivali.
mit/NOA